Politike

Rama në Korçë: Ne do të vendosim flamurin e Ismail Qemalit dhe Gjergj Kastriotit në Bruksel

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ishte në Korçë këtë të enjte, ku festoi përvjetorin e 35-të të Partisë Socialiste me mbështetësit atje.

Fjalën e tij, kreu i qeverisë e nisi duke kujtuar kohët e vështira siç i quajti ai të 35-viteve më parë, kur opozita e asaj kohe sipas tij përballej me brutalitetin e pushtetit të Partisë Demokratike.

Ai e konsideroi koinçidencë përkimin e 26 majit të atëhershëm me atë të këtij viti.

“Një koincidencë e madhe bashkoi një datë, 26 majin. Dy momente domethënëse të PS-së. 26 maji i vitit 1996, ku socialistët u përballën me furinë e një dhune dhe brutaliteti që e vuri Shqipërinë përballë sfidës reale të ndërtimit të demokracisë. Ai moment e vendosi PS-në në një situatë jashtëzakonisht dramatike. Ata që ishin në vijën e parë u dhunuan barbarisht, ashtu sikundër u dhunua tërësisht rezultati i atyre zgjedhjeve që u grabitën nga pushteti i degraduar i Partisë Demokratike. Ai 26 maj sot është i papërfytyrueshëm për ata të rinj që ishin sot këtu dhe për këdo që nuk e ka jetuar atë moment dramatik.

E paimagjinueshme sot kur opozita dhunohej rregullisht, kur kishte vetëm një ekran, ekrani i RTSH-së dhe ku asnjëherë nuk shfaqej opozita përveçse në ndonjë rast me pamje që mbuloheshin nga komenti negativ i spikerit të lajmeve. Shqipëria e asaj kohe kishte vetëm një gazetë opozitare, e cila edhe ajo u bë shkrumb e hi.”, tha Rama.

Pas këtyre fjalëve filloi të binte një shi i lehtë, detaj të cilin kryesocialisti nuk e la pa përmendur.

“Edhe vetë qielli filloi të përlotet tani që po dëgjon se çfarë ndodhi në atë kohë. Ju premtoj që s’do mbaj një fjalim të gjatë nën shi, por ju premtoj ta kthej tek 26 maji i para disa ditëve, kur PS e ngjiti Shqipërinë në një majë të re, një majë edhe më lart në rrugën drejt majës që e kemi nga amaneti i të parëve dhe borxhi që u kemi fëmijëve, maja ku gjendet shtëpia e Europës së Bashkuar dhe ku me se s’bën do të vendosim flamurin kuqezi të Ismail Qemalit dhe Gjergj Kastriotit.”, shtoi Rama.

Mes të tjerash, gjatë fjalës së tij, Rama premtoi një fitore akoma më të thellë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme.

“Nëse shiu filloi duke dëgjuar si ishte Shqipëria dhe le të vazhdojë siç është bereqeti dhe le të bjerë në këtë 35-vjetor këtu në Korçë duke premtuar një fitore të jashtëzakonshme, siç ajo që ne do të realizojmë të gjithë sëbashku në zgjedhjet e vitit të ardhshëm”, u shpreh ai.

Rama u shpreh i bindur që PS sipas tij i ka dhënë Shqipërisë një titull krejt tjetër, duke u ndalur tek integrimi, që sipas tij tashmë ka hyrë në një fazë krejt të re, atë të hapjes së fazës së mbylljes së negociatave.

“Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi!”, thekson Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë