Lajme

Rama në Fier, konfirmon Subashin për një mandat të dytë

Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar rikandidimin e Armando Subashit për një mandat në dytë në krye të Bashkisë së Fierit në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Nga Libofsha ku mori pjesë në një aktivitet në kuadër të programit të “100 fshatrave” kreu i qeverisë tha se vota e qershorit për kandidatët e PS, do të jetë një shtysë e re për Rilindjen Rurale, ndërsa shtoi se do të çojë përpara me Subashin projektet e nisura që në mandatin e para 4 vjetësh.

“Patjetër që edhe ajo u tha nga kryetari i bashkisë si nevojë strategjike e zhvillimit të zonës, dalja në det, është në vëmendjen tonë dhe do të jetë një nga projektet që do të zhvillojmë së bashku gjatë mandatit të dytë të kryetarit të bashkisë. Investimet në ujësjellës, vaditje, kanalizime, arsim në këtë zonë. Kemi identifikuar si potencial të rëndësishëm për zhvillimin e këtyre fshatrave, sheshet e këtyre fshatrave, jo vetëm për ata që jetojnë këtu, por edhe ata që do të vijnë këtu për të pirë një kafe apo gotë raki. Kur duan të qëndrojnë ku? Këtë duhet ta zgjidhim. Qeveria dhe programi ‘100 fshatrave’ ka fonde grant për bujtina” përfundoi Rama.

Ky është konfirmimi i parë për rikandidim për kryetar bashkie që bën kryeministri në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Pavarësisht se opozita këmbëngul se zgjedhjet lokale do të shtyhen në vjeshtë për shkak të situatës politike, Rama u shpreh në një aktivitet para pak ditësh se në 30 qershor do të shkohet në votime.

Ai tha i sigurt se Partia Socialiste, përveç se do të rikonfirmojë fitoren në bashkitë ku drejton, do të fitojë edhe në pjesën më të madhe të qyteteve që menaxhohen nga PD-LSI.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë