Politike

Rama u kërkon të lënë grevën e të bisedojnë, naftëtarët: Jo pa u paguar

Kryeministri Edi Rama tha se është i gatshëm që të ulet në bisedime me naftëtarët e Ballshit, por vetëm pasi këta të fundit të ndërpresin grevën e urisë.

“I ftoj vëllazërisht ta ndërpresin grevën dhe jam i gatshëm të ulem e të bisedoj me ta për këtë hall të përbashkët, por jo kështu!Kështu jo, sepse presionet e ultimatumet nuk funksionojnë në asnjë familje dhe punëtorët e Ballshit nuk bëjnë përjashtim nga ky parim i panegociueshëm!”, shkroi Kryeministri në rrjetet sociale.

https://twitter.com/ediramaal/status/1318113077758464002

Rama u thotë naftëtarëve se janë në të njëjtën anë dhe akuzon opozitën se është shkaktarja e gjithë hallit të tyre.

“U përsëris naftëtarëve të Ballshit që greva e tyre është e panevojshme, sepse unë jam me ta dhe qeveria është e tyrja! Ne jemi plotësisht të ndjeshëm ndaj hallit të tyre që është edhe halli ynë dhe është absurde që hallin t'ua qajnë ata që ua shkaktuan!”, deklaroi më tej Kryeministrit.

Rama u referohej vizitave të opozitës ditën e diel. Nga PD ishin dy ish-deputetet, Oriola Pampuri dhe Dhurata Çupi, që vizituan gratë greviste, ndërsa në mbrëmje aty u ndal edhe Monika Kryemadhi, që akuzoi drejtpërdrejtë Qeverinë "Rama" për gjendjen e vështirë në të cilën ndodheshin naftëtarët.

Nga ana tjetër, naftëtarët i janë përgjigjur menjëherë ftesës së Kryeministrit për bisedime. Ata këmbëngulin se protesta e tyre nuk është politikë dhe mirëpritën kërkesën e Ramës për të biseduar, por jo thirrjen e tij për të lënë grevën.

“Ta harrojë Kryeministri që të ndalim grevën ne. Nuk i besojmë, të gjitha mashtrime. Janë bërë të gjithë të pabesueshëm. Duam rrogat e prapambetura dhe rifillim e punës. E lëmë grevën po të na i hedhin të gjitha lekët në llogari. Të hedhi lekët që të hamë dhe bukë që sot”, thanë ata.

Greva e urisë e naftëtarëve ka hyrë në ditën e 22-të të saj. Deri në ditën e 17-të në grevë urie qëndruan burrat, ndërsa më pas u futën gratë naftëtare. Në ditën e pestë të grevës, gjendja shëndetësore e tyre është rënduar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë