Politike

Rama nga Berlini: Na jepni vend në tryezën e BE përpara se të na jepni veto!

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nga Berlini vuri theksin te nevoja për përshpejtimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe përfshirjen e rajonit në mekanizmat strategjikë të unionit.

Nga konferenca vjetore e Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin, e vendosi diskutimin në një kontekst historik, duke iu referuar transformimeve gjeopolitike të Europës dhe rolit të Gjermanisë në ribashkimin e saj.

Ai tha se Europa ndodhet sot përballë një momenti të ngjashëm vendimmarrjeje, ku hezitimi strategjik po bëhet rrezik për stabilitetin dhe të ardhmen e kontinentit.

Sipas tij, zgjerimi i BE-së nuk duhet trajtuar si proces administrativ apo i pafund, por si domosdoshmëri strategjike për vetë Europën.

Rama kërkoi që vendet e rajonit të mos mbeten në pritje të gjatë, por të përfshihen gradualisht në strukturat e Bashkimit Europian.

“Na futni në arkitekturën strategjike të Europës tani. Na jepni vend në tryezë, para se të na jepni veto. Na jepni pjesëmarrje, para se të na jepni komisionerë. Na jepni përgjegjësi, para se të na jepni ornamente institucionale”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se Shqipëria sipas tij po avancon me ritme të shpejta në procesin e integrimit, duke synuar mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë në BE brenda kësaj dekade.

Ai nënvizoi se procesi i integrimit për Shqipërinë nuk ka vetëm dimension politik, por përfaqëson një transformim të thellë institucional dhe shoqëror.

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua kërkesës për përfshirjen e menjëhershme të Ballkanit Perëndimor në arkitekturën strategjike të Europës, përfshirë bashkëpunimin në fusha si energjia, digjitalizimi dhe siguria.

Rama theksoi se rajoni përfaqëson një hallkë të rëndësishme në korridoret energjetike, digjitale dhe të furnizimit të Europës, duke argumentuar se mungesa e tij në këto struktura krijon një boshllëk strategjik.

Në aspektin ekonomik dhe teknologjik, ai tha se konkurrenca globale nuk do të bazohet më vetëm në territor, por në inteligjencë dhe inovacion. Kryeministri përmendi zhvillimin e inteligjencës artificiale, digjitalizimin dhe sovranitetin teknologjik si shtylla të reja të fuqisë ekonomike.

Ai shtoi se Shqipëria ka digjitalizuar rreth 95% të shërbimeve publike dhe po punon për integrimin e inteligjencës artificiale në administratë, si pjesë e modernizimit të shtetit dhe uljes së burokracisë.

Rama paralajmëroi gjithashtu për rritjen e rrezikut të sulmeve kibernetike dhe dezinformimit, duke e cilësuar këtë si një nga sfidat më serioze të demokracive moderne.

Sipas tij, sot gënjeshtrat dhe narrativat e manipuluara përhapen më shpejt se faktet, duke ndikuar në perceptimin publik dhe në stabilitetin institucional. Ai theksoi se algoritmet shpërblejnë indinjatën dhe jo të vërtetën, duke krijuar realitete të deformuara në hapësirën digjitale.

Rama tha se mbrojtja e demokracisë nuk lidhet vetëm me sigurinë ushtarake apo ekonomike, por edhe me mbrojtjen e realitetit dhe fakteve nga manipulimi sistematik.

Në përfundim, ai përsëriti thirrjen që zgjerimi i BE-së të shihet si investim strategjik dhe jo si barrë politike, duke theksuar se Shqipëria është e gatshme për reforma dhe kontribut në të ardhmen e Evropës, por pyetja kryesore mbetet gatishmëria e vetë Bashkimit Europian për të vepruar.

“Shqipëria është gati. Pyetja është nëse Europa është gati”, theksoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë