Politike

Rama mohon sërish problemet me Kadastrën: Sistemi funksionon, 30% e aplikimeve të noterëve me gabime

Nga Gazeta 'Si' - Me anë të një grafiku, kryeministri Edi Rama hodhi poshtë sërish lajmet për mosfunksionimin e Kadastrës, gjatë konferencës për shtyp të ditës së sotme.

Sipas tij sistemi monitorohet në kohë reale dhe "nuk diskutohet fare që ai funksionon".

"Me blu janë aplikimet hyrëse, me portokalli janë përgjigjet. Shikojeni realitetin", tha Rama referuar grafikut duke shtuar se aktualisht jemi në fazën kur sistemi nga njëra anë të mësohet nga ata që e përdorin dhe gjithashtu të kapërcejë presionin negativ të atyre që sipas tij kanë humbur pushtetin mbi Kadastrën.

Rama deklaroi se sistemit nuk i futesh dot mik dhe shtoi se 30% e aplikimeve të noterëve janë me gabime.

"Nga analizat e bëra po ju jap vetëm një fakt, 30% e aplikimeve të noterëve dhe noterët janë persona që nuk është se prekin kompjuter për herë të parë, bëjnë gabim. Sistemit nuk i futesh dot mik, ose ta pranon ose jo. Pastaj një e dhënë tjetër shumë e rëndësishme për ju është se me sistemin e ri është bërë një operacion masiv i trajtimit të aplikimeve të mbetura që do të thotë kthim përgjigje për prapambetjet për çdo drejtori ku pavarësisht punës së madhe që u bë për disa vite, faktikisht rendi i punës ishte jo i drejtë. Sistemi nuk të lë.

Nga njëra anë sistemi në vetvete, pra sistemi digjital nuk ka probleme, por kultura e punës, njerëzit e mësuar ndryshe, çorientimi, pasi shumë nga ata në Kadastër e nxirrnin punën jo me rrogën, por me nderet e tyre. Këtë periudhë vijnë shumë njerëz nga jashtë, të mësuar me sistemin e vjetër, dhe numri i aplikimeve ka patur një rritje shumë të madhe, në 15 gusht 31 mijë e 534 aplikime. E kuptoni vetë ca ndodh

S’ka nevojë të presësh gushtin të vish në Shqipëri, mund të aplikosh që atje", tha Rama ndërsa shtoi se Kadastra ka rrjedhje të numrit të punonjësve dhe dorëheqjet vazhdojnë.

"Dorëhiqen sepse nuk mund të bëjnë dot asgjë përveç punës dhe detyrës ndaj çdo qytetari.Që kur ka hyrë ky sistem transaksionet e zeza në raport me kadastrën janë 0, se nuk ia del dot.

Punonjësit kanë kode të caktuara, nuk e shohin dot njëri-tjetrin se çfarë bëhet. Sistemi i shpërndan aplikimet në territor", deklaroi Rama i cili edhe ditën e djeshme i hodhi poshtë akuzat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë