Politike

Rama mohon akuzat: Asnjë pakt me Vuçiç për ndarjen e Kosovës

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar shprehjen e tij ditën e sotme “What the Fuck” në lidhje me qasjen e Bashkimit Europian në dialogun Kosovë-Serbi, i cili sipas tij është me dy standarde.

Rama theksoi se e ka thënë në një kontekst shumë të saktë. “Nuk mund ta përkthej në shqip, është e thënë në një kontekst shumë preciz. Nëse fjalën e nxjerr nga konteksti, atëherë ajo ndryshon trajtë. Fjala në vetvete është thënë në një moment preciz. Mesazhi ishte në gjithë gjatësinë e mbledhjeve mes dy qeverive nga fillimi deri në fund. “, u shpreh kryeministri Rama.

Më tej ai thekson se “jemi në një situatë që Kosova s’mund të durojë më, e ajo ka “klithur” me ngritjen e taksave ndaj Serbisë”.

Në një lidhje ‘live’ nga Peja për emisionin “Open”, kryeministri Rama theksoi se askush nuk duhet që ta marrë tolerancën si të Shqipërisë, ashtu edhe të Kosovës, si dobësi, duke shtuar se vetë KE ka deklaruar se reforma në drejtësi e Shqipërisë është për t’u marrë si shembull, edhe nga Serbia.

“Vetë KE e ka shprehur në mënyrë të përsëritur se Reforma në Shqipëri është një model i pare në të gjithë rajonin, ku përfshihen edhe Mali i Zi dhe Serbia. Për mua është e rëndësishme që të skandalizohet kushdo në raport me të vërtetën. Ngitja e taksës me 100% është një përpjekje për “t’u ngulur gishtat në sy” atyre që nuk shohin të vërtetën. U kërkohen qiqra në hell, dhe kur realizohen ato i thonë s’keni plotësuar ende kushtet. Anëtarësimin në BE e shikojmë si një proces për të mirën e fëmijëve tanë. Por çdo përpjekje jonë për tolerancë nuk duhet të merren për dobësi”, u shpreh Rama.

I pyetur nëse ka qenë pjesë një marrëveshjeje verbale me presidentin serb Aleksandar Vuçiç për ndarjen e Kosovës, Rama ka përgënjeshtruar gjithçka.

“Unë nuk kam marrë asnjë plan në dorë nga presidenti i Serbisë për ndarjen e Kosovës. Nuk mund t’i besoni kazanit të mediave serbe që shkruajnë gjëra të tilla në kohën kur unë isha për vizitë në Beograd. Kjo është një shpifje kazani e Beogradit a e ndonjë partie, nuk e di. Mos merrni lajme nga mediat e Serbisë dhe i përcillni në publik”, - iu drejtua Rama të ftuarve.

Në lidhje me deklaratën e sotme për një bashkim gjithëpërfshirës mes Kosovës e Shqipërisë, kryeministri saktësoi se në çfarë konteksti e ka thënë këtë gjë.
“Viti 2025 data e bashkimit? Ideja është të ndërtojmë së bashku një rrugë mbi bazën e një analize shteruese me ndihmën e një konsulence të mirë ndërkombëtare për t’i dhënë vetes të kemi mundësi për një qasje strategjike, të baashkimit të forcave ideve, bashkimit ekonomik e bashkimit të shteteve tona në kontekstin e BE-së, - u përgjigj Rama. - Ne angazhohemi të përpunojmë një strategji afatgjatë që të mos bëhemi qesharakë me strategji improvizuese e të mos ndahemi, ca si patriotë e ca si tradhtarë. Që të mos ndodhin çështje të tilla, meendoj se duhet të kemi një qasje të përbashët strategjike. Nuk duam që konfliktet për kufijtë të mbarten pasi vendet të integrohen si Kroacia e Sllovenia”.

Mes të tjerash Rama, duke debatuar me të ftuarit në studio zbuloi se “Shqipëria nuk i çeli negociatat, sepse nuk ishin gati disa vende anëtare të Këshillit të Europës dhe jo se nuk ishte gati vetë qeveria…”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë