Politike

Rama: Miratimi i buxhetit 2024 po bëhet në kushte jonormale. Ose forcën ose heshtjen

Nga Gazeta 'SI' - Kryeministri Edi Rama pranoi sot se nuk është aspak normal fakti që votimi i buxhetit të vitit 2024 të bëhej pa pasur diskutime në Kuvend mes opozitës dhe mazhorancës, por shtoi se kjo ndodhi për shkak të "aksionit të dhunshëm të opozitës".

“Dëshira për ta diskutuar është e padiskutueshme nga ana jonë. Por kur ti shkon në Kuvend për të folur dhe gjendesh përballë një grupi individësh që bëjnë ato veprime, ka dy rrugë, ose të tregosh forcën e muskulaturës ose në pamundësi për të folur të votosh dhe të vazhdosh rrugën”, tha Rama gjatë një komunikimi me median.

Rama tha se opozita do të vazhdojë të humbasë në zgjedhje sepse ende nuk e di rolin e saj në Kuvend. Sa i takon nismave që mazhoranca i miraton me shumicë votash dhe rrëzimin e nismave të opozitës, Rama tha se në këtë mënyrë funksionon në të gjithë Kuvendet e botës.

“Unë nuk e di se cila është opozita aty. Jo vetëm për arsye se nuk dihet se kush është kush në aspektin formal por për arsye se të bësh opozitë do të thotë të flasësh, të sfidosh kundërshtarin në qeveri me forcën e fjalës, argumentit, energjisë që duhet të prodhosh në mënyrë që njerëzit që të kanë çuar aty të kenë gjithmonë e më shumë arsye që të të mbështesin. Kjo është të bësh opozitë. Opozitat nëpër parlamentet demokratike nuk fitojnë asnjëherë debate matematike. Në të gjithë parlamentet e botës, mazhoranca ka numrat. Opozita është aty për të fituar debatin në zemrat dhe mendjet e njerëzve se debatin aritmetik nuk e fiton dot”- shtoi kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë