Politike

Rama: Meta, shpërdorues detyre! Katastrofa e pret LSI-në më 25 prill

Kryeministri Edi Rama akuzon Presidentin Ilir Meta për shpërdorim detyre duke u angazhuar në fushatën elektorale për Lëvizjen Socialiste për Integrim.

“Presidenti ka kohë që s’është më President. Është shpërdorues i funksionit të Presidentit në favor të ndërmarrjes që administrohet formalisht nga e shoqja dhe e mirëkuptoj se vjen në Vlorë natën, fshehurazi shkon lart e poshtë natën”, tha Rama.

Kreu i Qeverisë akuzoi Presidentin për takime të fshehta elektorale, ndërsa i ktheu tërthorazi përgjigje edhe për komentet e Ilir Metës të një dite më parë, ku paralajmëroi se vendi është në prag të katastrofës për shkak të Covid.

“Shfaqet makina pa as protokollin përkatës, takon njerëz, me sa duket jo aq shumë dhe i duket e zbrazur komplet Shqipëria, për shkak se shumë pak njerëz besojnë tek LSI dhe në këto kushte duhet ta mirëkuptoni pse i duket katastrofë, sepse në fakt zgjedhjet do të jenë katastrofë për të”, tha ai.

Rama foli nga Vlora, ku këtë të premte nisi procesi i vaksinimit të bluzave të bardha dhe të të moshuarve në shtëpitë e azilit. Nisma e tij për të vaksinuar të moshuarit personalitete është qortuar, por kreu i Qeverisë e përsëriti se me këtë plan do të vazhdohet.

“Ditën e diel fillojmë me disa personalitete që do të vaksinohen për të filluar me këtë kategori dhe vazhdojmë përpjekjen për të siguruar sasi të konsiderueshme vaksinash, ndërkohë që brenda muajit mars do të kemi 40 mijë vaksina Pfizer”, u shpreh Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë