Politike

Rama mes Erdoganit, gylenistëve dhe mbyllja e kolegjit ‘Mehmet Akif’   

Mbyllja e kolegjit privat turk ‘Mehmet Akif’, ka provokuar protesta nga ky kolegj me argumentin se vendimi për mbylljen është i karakterit politik.

Më herët ministrja e Arsimit Evis Kushi mohoi zërat kur tha se kolegji kishte shkelur disa rregulla.

"Nisur nga interesimi dhe spekulimet në lidhje me shkaqet që çuan në heqjen e licencës dhe mbylljen e shkollës jopublike 'Mehmet Akif Ersoy', sqarojmë se ky vendim është rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë...”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Arsimit.

Partia Demokratike në anën tjetër bëri thirrje për t’ju bashkuar protestës me argumentin se vendimi për mbylljen e shkollës në fjalë i ishte në kundërshtim me ligjin dhe se gjithçka ishte pasojë e vasalitetit të qeverisë shqiptare ndaj Presidentit turk Rexhep Tayyp Erdogan, Mediat në Turqi ndërkohë e kanë etiketuar  kolegjin “Mehmet Akif”  pjesë e fondacionit të gylenistëve. Debati për mbylljen e këtij kolegji nuk është i pari.  

Në konferencën e fundit të përbashkët për shtyp me Edi Ramën, Presidenti turk Recep Taip Erdogan nuk e fshehu faktin se ai është ende i shqetësuar për aktivitetin e gylenistëve në Shqipëri, që siç tha ai, fatkeqësisht po gjenin ende terren.

“Fakti që FETO gjen ende terren në Shqipëri është e rëndë për popullin turk, që u martirizua për të ndalur grushtin e shtetit. Presim që të ndërmerren hapa më konkretë dhe më të shpejtë kundër strukturimit të FETO-s në Shqipëri”, u shpreh Erdogan. Një kërkesë kjo që është shtrirë paralelisht edhe në Kosovë.

“Ekzistenca e FETO-s në Kosovë është pengesa më e madhe mes raporteve tona, për shkak që është duke bërë punë për të helmuar raportet tona”, do të shprehej ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, gjatë një konference për media në Prishtinë.

Turqia i referohet lëvizjes Hizmet të klerikut Fetullah Gulen me akronimin FETO dhe të njëjtën e ka shpallur organizatë terroriste.

Në mars të vitit 2018, Kosova arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq, që kishin punuar në shkollën private “Mehmet Akif” në Prishtinë.

Të gjithë të arrestuarit, ndërkohë, janë përballur me procese gjyqësore në Turqi dhe në fund janë dënuar gjithsej me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.

Në Tiranë ndërkohë debati mbetet pezull.  

Në maj të 2015-s, Recep Taip Erdogan vizitonte Tiranën për të marrë pjesë në përurimin e nisjes së punës për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë, një investim i Turqisë për myslimanët shqiptarë.

Ndërtimi i xhamisë, që do të ishte më e madhja në Ballkan, ka përfunduar dhe ajo planifikohej të hapej këtu e katër vjet më parë.

Në vizitëne tij të fundit në Tiranë, Erdogan nuk e përuroi, por mori pjesë në restaurimin e xhamisë së Ethem Beut, pak metra më larg, por jo Namazgjanë

Edhe pse atëherë u justifikua si mungesë për arsye teknike, përurimi i Namazgjasë duket se është i lidhur pazgjidhshmërisht me debatin e iniciuar qysh në vitin 2016 në Ankara, ku Erdogan fajësoi për grusht e shteti ndaj tij  klerikun Fetullah Gylen dhe ndjekësit e tij.

Prej atëherë, FETO do të shpallej në Turqi organizatë terroriste.  

Kërkesa për të luftuar grupin FETO që Turqia e cilëson si terrorist është permanente ndaj Shqipërisë.

Prej vitesh, Ankaraja zyrtare i ka kërkuar zyrtarisht qeverisë shqiptare (përmes vizitash të ministrave të jashtëm dhe atyre të brendshëm) verifikimin e disa institucioneve jopublike në Shqipëri, duke deklaruar se qeveria turke ka dyshime se ato janë financuar nga Fetullah Gylen.

Pjesë e listës me emra konkret që Turqia i ka dërguar qeverisë shqiptare janë institucione të ndryshme jo publike; si kopshte, shkolla të mesme e universitete, OJF, fondacione të ndryshme, banka të nivelit të dytë apo edhe agjenci informative.

Autoritetet turke kanë kërkuar që të verifikohej aktiviteti i tyre, pasi dyshohej se janë ngritur nga kleriku Fetulah Gylen.

Pjesë kësaj liste ishin edhe “Mehmet Akif”, kopshti, shkollat fillore dhe te mesme, për djem dhe për vajza, Kolegji “Hasan Riza Pasha” në Shkodër si dhe Kolegjet “Turgut Ozal” në Tiranë dhe Durrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë