Ngjarje

Mbyllja e kolegjit Mehmet Akif, nxënëse e prindër në protestë, Rama: Kemi zbatuar ligjin

Ashtu siç ishte paralajmëruar, nxënës të kolegjit “Mehmet Akif”, prindër dhe përfaqësuesit të kolegjit protestuan sot para Ministrisë së Arsimit për mbylljen e kolegjit.

Protestuesit kërkuan që të tërhiqet vendimi i qeverisë dhe të vijojë mësimi.

Ato kanë qëndruar para ministrisë gati 40 minuta dhe më pas janë nisur drejt kryeministrisë.

Akoma pa arritur protestuesit në Kryeministri, Edi Rama ka bërë një postim në rrjetin social Twitter duke u thënë nxënësve “të protestojnë kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës dhe e spostuan aktivitetin gjetkë, pa marrë leje sipas ligjit e pa respektuar rregullat e parashikuara ligjërisht! Ministria e Arsimit dhe Sportit ka zbatuar ligjin si në raste të tjera”.

Në fakt, nga drejtuesit e shkollës ky pretendim është kundërshtuar si i pavërtetë, duke thënë se godina e vjetër ishte pronë shtetërore, në administrim të Bashkisë së Tiranës dhe nuk e kanë shitur. Për këtë arsye, ata kaluan shkollën në një godinë tjetër, pronë e kolegjit dhe prej 3 muajsh kanë bërë kërkesë pranë ministrisë së Arsimit, përgjigja prej të cilës erdhi vetëm javën e shkuar dhe ishte vendimi për mbylljen.

Protestuesit kanë deklaruar se do të vazhdojnë me protestat nëse nuk merret vendimi për të hapur kolegjin.

Ditën e enjte u njoftua se do të mbyllej kolegji dhe një ditë më pas Ministrja e Arsimit Evis Kushi tha se ky vendim erdhi pasi janë shkelur ligjet nga ana e kolegjit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë