Partia Socialiste do të çelë fushatën elektorale më 31 maj në Pallatin e Kongreseve. Kjo është vendosur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Në këtë mbledhje që është drejtuar nga kryeministri Edi Rama janë dhënë edhe direktivat e për deputetët socialistë, të cilët duhet të ndërmarrin një fushatë të vështirë në mungesë të opozitës, e cila ka deklaruar se nuk do të lejojë që më 30 qershor të mbahen zgjedhjet.
Rama ka kërkuar që të regjistrohen të gjithë ata që do të provojnë të shkaktojnë incidente dhe të denoncohet kushdo që cenon procesin zgjedhor. Kryeministri ka kujtuar edhe njëherë masën e paralajmëruar për të gjithë ata që do të kërkojë të bllokojnë procesin zgjedhor se do t'i bllokohet hyrja në BE dhe SHBA, gjë e cila - tha ai - duhet bërë e qartë për çdo qytetar derisa të bëhen të vetëdijshëm. Ai i bëri thirrje çdo deputeti që duhet të mbulojë zonën e tij për të bërë derë më derë komunikimin e masave për ata që do të tentojnë të prishin zgjedhjet.
“Askush mos të ketë iluzione se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje. Detyra e çdo deputeti është të përçojë mesazhin se zgjedhjet do të bëhen”, mësohet se ka deklaruar Rama.
Përveç fushatës elektorale, socialistët duhet të bindin zgjedhësit që të dalin në votime, madje të bëjnë edhe një fushatë tjetër që t’i kujtojnë kërcënuesve të zgjedhjeve se çfarë i pret nëse prishin procesin e 30 qershorit.
Gjatë mbledhjes së sotme Rama u shpreh i bindur se data e zgjedhjeve nuk shtyhet dhe njoftoi deputetët se duhet të jenë të gatshëm për të parandaluar çdo incident të mundshëm gjatë procesit zgjedhor.
Në çeljen e fushatës zgjedhore në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, të pranishëm do të jenë të 61 kandidatët e PS për 61 bashkitë e vendit, si dhe një pjesë kandidatëve për këshillat bashkiak, si Tiranë dhe Durrës.
Hapja e fushatës elektorale të PS-së do të bëhet pikërisht një javë pasi opozita të zhvillojë protestën e saj të tretë kombëtare përpara Kryeministrisë. Më 25 maj, të shtunën, PD-ja me aleatët e saj kanë paralajmëruar protestën e radhës.
PD, Paloka: Nuk do të ketë zgjedhje false
Demokratët janë shprehur qartazi se nuk do të lejojnë që më 30 të mbahen zgjedhjet. Reagimi i fortë erdhi nga ana e nënkryetari të PD-së, Edi Paloka, i cili kontestoi edhe mënyrën se si po veprohet për regjistrimin e Bindjes Demokratike të Astrit Patozit.
Në një postim në Facebook, Paloka shprehet se "përfaqësuesit e Ramës në KQZ, të cilët janë personat përgjegjës që kanë regjistruar atë subjekt dhe i kanë dhënë mandatin e deputetit personit në fjalë më pak se një muaj më parë, pranojnë si të mirëqenë shkresën e Parlamentit ku mashtrohet se deputeti paska të paktën gjashtë muaj që përfaqëson subjektin në fjalë. E gjithë kjo ndodh përpara kamerave dhe farsa shkon përpara si normalitet". Për PD-në, kjo është farsë zgjedhore dhe se nuk mund të lejohet nga opozita.
"Gatuesi i gjithë kësaj nuk kupton (ose bën sikur…) se duke u përpjekur t’i japë legjitimitet farsës së zgjedhjeve, duke i shtuar një farsë tjetër, këtë të sajesës së “opozitës”, vetëm sa e bën më evidente. Kampioni i përdhunimit të zgjedhjeve nuk mund të ketë sjellje tjetër. Për këto arsye dhe opozita është në rruge e kërkon largimin e tij si kusht parësor për zgjedhje të lira e të ndershme. Sidoqoftë, një gjë ka rëndësi dhe është e qartë: me apo pa opozitën false, zgjedhje dhe votime farsë më 30 qershor, nuk do të ketë, sepse këtë e ka vendosur opozita e vërtetë e cila sot përfaqëson shumicën absolute të shqiptareve”, shprehet Paloka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.