Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestave që prej javësh kanë përfshirë vendin, duke mbrojtur “Paketën e Maleve” dhe duke kundërshtuar kritikat ndaj kësaj nisme.
Në një komunikim në media sociale, gjatë një vizite në Theth, Rama tha se kundërshtarët e ligjit shpesh nuk e njohin përmbajtjen e tij dhe e gjykojnë situatën nga larg.
“Malet i shohin nga qyteti, politikën e gjykojnë nga kafeneja”, u shpreh kryeministri, duke argumentuar se paketa ka lindur për të zgjidhur probleme të hershme të pronësisë në disa zona malore të vendit.
Sipas Ramës, në disa territore, veçanërisht në veri të Shqipërisë, komunitetet nuk e kanë njohur apo zbatuar plotësisht ndarjen ligjore të tokës, duke krijuar ndër vite ndarje faktike mes banorëve.
Ai deklaroi se ligji synon të trajtojë këto problematika dhe të sjellë një zgjidhje për zonat ku konfliktet mbi pronësinë kanë vazhduar prej dekadash.
Reagimi i kryeministrit vjen në një kohë kur protestat kundër qeverisë kanë vijuar prej më shumë se 50 ditësh. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës dhe anulimin e disa nismave ligjore, përfshirë “Paketën e Maleve” dhe ligjin për Investimet Strategjike.
Kundërshtarët e këtyre nismave kanë ngritur shqetësime mbi mënyrën e trajtimit të pronës, transparencën dhe ndikimin e mundshëm ndaj komuniteteve lokale, ndërsa qeveria argumenton se masat synojnë zhvillimin ekonomik dhe rregullimin e çështjeve të pazgjidhura të pronësisë.
Rama ka reaguar gjithashtu ndaj kritikave të një qytetari gjatë një komunikimi live në media sociale, duke mbrojtur punën e qeverisë dhe veçanërisht “Paketën e Maleve”.
Gjatë transmetimit, një komentues e akuzoi Ramën se “mashtron dhe gënjen”, ndërsa kryeministri iu përgjigj duke thënë se vlerësimi për punën e tij duhet të bazohet te rezultatet dhe jo te akuzat.
“Për mua flet puna, faktet, për më tepër nuk flasin sharjet”, u shpreh Rama, duke shtuar se qeveria e tij punon për qytetarët dhe familjet shqiptare.
Duke iu referuar kritikave ndaj “Paketës së Maleve”, kryeministri deklaroi se kjo nismë synon t’u japë banorëve të zonave malore mundësinë për të përdorur pronat e tyre si burim zhvillimi dhe mirëqenieje.
Sipas Ramës, kundërshtimet ndaj kësaj pakete janë të nxitura nga keqkuptime dhe akuza, ndërsa ai e cilësoi atë si një projekt me rëndësi afatgjatë për vendin.
“Paketa e Maleve do të jetë histori e madhe e shqiptarëve, për të bërë Zvicrën e vogël”, tha kryeministri.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur “Paketa e Maleve” është bërë një nga çështjet kryesore të debatit publik dhe protestave të fundit, ku kundërshtarët e saj kanë ngritur shqetësime për çështjet e pronësisë dhe transparencën e zbatimit të saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje