Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas përfundimit të mbledhjes me ministrat, ku në fokus ka qenë përgatitja e programit për sezonin e ri qeverisës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka renditur disa prej çështjeve të diskutuara gjatë takimit, duke veçuar kalendarizimin e nismës “Prania Besnike” në çdo territor, mekanizmat e rinj të ndërveprimit mes qeverisë dhe deputetëve, si dhe hartimin e ndryshimeve ligjore për “PasqyrAlbania”.
Kreu i qeverisë ka bërë të ditur gjithashtu se ka vijuar puna për nismën “Shqipëria Sociale”, e cila pritet të konkretizohet më tej në muajt e ardhshëm. Për këtë nismë, në nëntor do të zhvillohet një konferencë e posaçme kombëtare.
“Vijuam sot punën intensive për detajimin e programit të sezonit të ri, duke nisur nga kalendarizimi i Pranisë Besnike në çdo territor, mekanizmat e rinj të ndërveprimit qeveri-deputetë në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të shërbimeve publike qendrore e vendore, si edhe hartimi i ndryshimeve ligjore për PasqyrAlbania.
Po ashtu u diskutua progresi i bërë me hartimin e nismës së integruar Shqipëria Sociale, të cilës do t’i kushtohet një Konferencë e posaçme Kombëtare në muajin nëntor”, shkruan Rama.
Mbledhja e sotme me ministrat vjen pak ditë pas takimit dyditor të zhvilluar në Pogradec më 23 dhe 24 gusht. Gjatë këtyre takimeve, Rama u kërkoi ministrave dhe drejtuesve socialistë të jenë sa më pranë qytetarëve dhe të angazhohen për adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të tyre.
Në Pogradec, kryeministri prezantoi edhe “PasqyrAlbania”, një hapësirë dixhitale ku do të grumbullohen problematikat e qytetarëve dhe do të ndiqet trajtimi i tyre nga institucionet.
Platforma do të funksionojë përmes dy mekanizmave. “Flamingo Albania” do të shërbejë për mbledhjen e ankesave dhe shqetësimeve të qytetarëve, ndërsa “Radar” do të gjurmojë rrugën që ndjek trajtimi i tyre nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.
Me nisjen e shtatorit pritet të rifillojë edhe sezoni i ri politik. Pas një pushimi të shkurtër veror, Partia Socialiste ka qenë ndër të parat që ka nisur përgatitjet, ndërsa Rama ka përcaktuar prioritetet dhe drejtimet për pjesën e mbetur të mandatit.
Në kampin opozitar, Sali Berisha ka zhvilluar mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku paralajmëroi ndryshime brenda forcës politike. Berisha e vuri theksin te ripërtëritja e partisë, duke e cilësuar atë si një nga kushtet kryesore për rikthimin e besimit të qytetarëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje