Lajme

Rama mbledh koordinatorët e rajonit të Veriut në Velipojë

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot Këshillin Koordinues për Rajonin e Veriut në Velipojë.
Mësohet se në mbledhje janë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili njëherësh është dhe koordinator politik i PS për Qarkun e Lezhës.
Po ashtu kanë qenë të pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu si dhe deputetët Paulin Sterkaj, Luan Harusha dhe Tom Doshi.
Kryeministri Edi Rama ka vendosur që përkohësisht të mos zgjedhë një pasues për Ditmir Bushatin në Shkodër, pas përjashtimit të Valdrin Pjetrit.
Në këto kushte, Rama ka zgjedhur që punët e partisë të drejtohen nga një komision me 4 persona në qarkun Shkodër.
Ai ka rikthyer Musa Ulqinin, i cili do të punojë për unifikimin e partisë, së bashku me sekretarin organizativ, Arben Pëllumbi. Të dy do të punojnë edhe me deputetët e zonës, Senida Mesi dhe Luan Harusha.
Ky komision do të ndjekë procesin zgjedhor në Partinë Socialiste qarku Shkodër, ndërsa paralelisht, një komision qytetar me 13 anëtarë po punon për zgjedhjen e drejtorëve të rinj të institucioneve lokale.
Ngritja e komisioneve erdhi pas largimit të Valdrin Pjetrit nga posti i koordinatorit politik të Shkodrës pas akuzave që PD ngriti ndaj tij për fshehje të dënimit në Itali në formularin e dekriminalizimit.
Ndërkohë Voltana Ademi vijon të jetë e vetmja demokrate në drejtimin e bashkive në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë