Politike

Rama, kryetarëve të bashkive: Mos u bëni viktima të Lulit. PD: Je në paligjshmëri!

Vendimi në bllok i kryebashkiakëve të opozitës për të mos u bërë pjesë e procesit zgjedhor të 30 qershorit për shkak se presidenti Meta ka zhdekretuar datën 30 qershor ka sjellë përplasjen mes mazhorancës socialiste dhe PD-së. Kryeministri Edi Rama do të reagonte me anë një postimi në rrjetet sociale, duke i bërë thirrje drejtuesve të njësive të qeverisjes vendore të administruara nga opozita që të mos bëhen viktima të politikës së Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit, si dhe të Sali Berishës dhe Ilir Metës.

"Kryebashkiakë demokratë! Mos bini viktimë e katërshes SB/IM/LB/MK duke nxjerrë pengesa për zgjedhjet.Referojuni ligjit jo hallit të tyre të madh e as zhurmës së tyre të kotë.Nuk ju nxorri PS nga gara po ata dhe ata duhet të përgjigjen para jush, jo ju para tyre.Ligji s’ka mëdyshje", shkruan Rama në Twitter.

Sakaq për aktin e kryebashkiakëve të PD-së, LSI dhe të PDIU pati edhe një qëndrim të nënkryetari të KQZ-së, Denar Biba, i cili u shpreh se ndaj atyre që refuzojnë të organizojnë zgjedhjet do të ketë ndjekje penale.  Në një prononcim në Top Channel, Biba u shpreh se KQZ-ja mund të ndërmerrte veprime sipas parashikimeve të Kodit Penal.

https://twitter.com/ediramaal/status/1139543293686157312

Partia Demokratike iu përgjigj deklaratës së kryeministrit Edi Rama, duke i kujtuar atij se dekreti i presidentit për anulimin e zgjedhjeve është botuar në Fletoren Zyrtare dhe si i tillë ka marrë fuqi për t'u zbatuar.

"Zoti Kryeministër! Je kokë e këmbë në paligjshmëri! Qeveria e drejtuar prej teje ka botuar në Fletoren Zyrtare dekretin e Presidentit. Siç mund ta dish fare mirë, në Fletoren Zyrtare publikohen aktet ligjore të detyrueshme për zbatim në Republikën e Shqipërisë. Mos u lodh me urdhra pa vlerë që nxisin militantët e tu në KQZ të na kërcënojnë me ndjekje penale, sepse, përsa kohë nuk ekziston një datë zgjedhjesh, as zgjedhjet nuk ekzistojnë. Kushdo që vepron ndryshe, është në paligjshmëri!", thuhet në deklaratë.

PD shprehet se kryebashkiakët do të pranojnë të zbatojnë ligjin vetëm atëherë kur Presidenti të nxjerrë një datë të re për zgjedhjet vendore. "Zoti Kryeministër, kur Presidenti të shpallë një datë të re zgjedhjesh, atëherë gatishmëria jonë për respektimin e ligjit, do të jetë, si gjithmonë, maksimale. Hallin e datës 30 nuk ta zgjidhim dot ne!  Je që je kot dhe sillesh nëpër Shqipëri si qyfyrexhi, jepi urdhër KQZ-së të shpallë menjëherë nisjen e negociatave me BE-në!", përfundon deklarata.

Bashkitë e Shkodrës, Kukësit, Kamzës, Gjirokastrës, Delvinës, Skraparit, Matit i dërguan letër KQZ-së ku i bëhet e ditur që të mbyllnin KZAZ-të, pasi zgjedhjet janë shfuqizuar. Pasdite kësaj nismjeje iu bashkuan edhe dy bashkitë e Peqinit dhe të Rrogozhinës që drejtohen nga PDIU, aleate e PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë