Politike

Rama kërcënon Merkel: Po s’hapët negociatat, krijojmë Shqipërinë e Madhe!

Një nga gazetat më prestigjioze gjermane “Frankurter Allgemeine Zeitung” ka zbuluar sot në një artikull të gjatë se kryeministri Edi Rama po kërcënon prapa kuintave zyrtarët e Berlinit se nëse Maqedonia e Veriut shkëputet nga Shqipëria dhe merr e vetme çeljen e negociatave atëherë qeveria do të ringjallë çështjen e Shqipërisë së Madhe, pra bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe trojeve të tjera përfshirë edhe ato të Maqedonisë.

Artikulli i gazetarit Michael Martens, nuk citon burimet që i kanë bërë të ditur një gjë të tillë, por thekson se Edi Rama po luan me zjarrin, gjë që ka shkaktuar shqetësim në Shkup e në qeverinë "mike" te Zoran Zaevit.

“Një aspekt që ndikon në çështjen e negociatave të anëtarësimit raportohet se ka të bëjë me rolin e Shqipërisë. Në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kërcënuar hapur pas skenave, se nëse Maqedonisë së Veriut i lejohet të fillojë bisedimet e anëtarësimit dhe vendit tonë, a do të ngrejë çështjen e Shqipërisë së Madhe”, shkruan gazeta e njohur gjermane. Ajo thekson se “çështja e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën prek në mënyrë të drejtëpërdrejtë edhe Maqedoninë e Veriut. “Në rrethana të tjera, kjo mund të konsiderohet si kërcënim për një shtetet fqinje. Edhe pse Rama nuk e ka përdorure shumë në vitet e fundit retorikën e Shqipërisë së Madhe, në raste të ndryshme ai ka treguar se është me të vërtetë i gatshëm të luajë me zjarrin”, shkruan “Frankurter Allgemeine Zeitung”.

Gazeta thekson po ashtu se pengesa për Shqipërinë janë mosfunksionimi i drejtësisë, krimi, korrupsioni dhe krimi i organizuar, ndërsa për Maqedoninë e Veriut thekson se ka bërë përparime të jashtëzakonshme. Edhe pse artikulli akuzon në mënyrë të drejtpërdrejtë kreun e qeverisë shqiptare, gazeta gjermane nuk është e para që paralajmëron se Rama po përdor “kartën e Shqipërisë së Madhe”, për t’i bërë presion Brukselit.

Duke folur për vendimin e BE-së për nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dy javë më parë, kryeministri Zaev tha nga Brukseli se gjermanët frikësohen nga kërcënimet e palës shqiptare se vendimi mund të krijojë destabilitet në rajon dhe mund të çojë në bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Zaev deklaroi i pari se kryeministri Rama po kërcënon Berlinin me krijimin e Shqipërisë së Madhe.

“Ata mendojnë se nëse i hapin negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe lihet jashtë Shqipëria, do të krijohet problem dhe mund të ndikojë tek Kosova. Gjermanët frikësohen nga kërcënimet e mikut tim Edi Rama për ndryshime të mundshme të kufijve ose bashkimit me Kosovën, por unë nuk besoj në këto punë, pasi kjo do të thotë kthim prapa për 10 vjet për Shqipërinë. Ndërsa një gjë të tillë nuk e dëshiron askush”, tha mes tjerash Zaev.

Edi Rama dhe Zoran Zaev

Edhe pse kryeministri Rama nuk e ka përmendur këtë skenar në asnjë nga daljet e tij të fundit publike, bashkimi Kosovë-Shqipëri duket se është kthyer në vëmendjen e publikut nga aleati i tij më i madh politik në Prishtinë, presidenti Hashim Thaçi. Ky i fundit ka folur vazhdimisht për bashkim kombëtar mes dy vendeve, duke thënë se zgjidhja më e mirë për të dyja vendet është që Parlamenti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë të dalin me deklarata për të jetuar në një shtet të përbashkët dhe pa kufij. Sipas Thaçit, tanimë po krijohen edhe rrethanat e reja, të cilat sipas tij, ofrojnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë si zgjidhjen më të mirë.

“E ardhmja e jonë e sigurt është në NATO dhe në Bashkimin Europian. Por megjithatë po krijohen edhe rrethana të reja që zgjidhja më e mirë do të ishte që të dy parlamentet ai i Kosovës dhe Shqipërisë të nxjerrin deklaratat e nevojshme të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët pa kufij”, do të deklaronte Thaçi në fund të muajit maj.

I pari që do të thyente heshtjen nga pala shqiptare do të ishte Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, i cili do të hidhte poshtë këtë skenar, duke thënë se bashkimi kombëtar nuk është në agjendën e asnjë prej vendeve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

I pyetur më herët nga Gazeta "Si" se çfarë mendon për qëndrimin e mbajtur së fundmi nga kreu i shtetit të Kosovës, Cakaj tha se Shqipëria do të intensifikojë bashkëpunimin rajonal me Kosovën, në kuadër të Procesit të Berlinit, por se bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë nuk është në agjendën zyrtare të Prishtinës dhe Tiranës.

Megjithatë analistët në Prishtinë kanë paralajmëruar prej kohësh se as Tirana dhe as Prishtina nuk kanë marrë miratimin e “ndërkombëtareve” për realizimin e një skenari të tillë, të cilin po e përdorin për interesat e tyre politike. Analisti Artan Muhaxhiri thotë se deklaratat e presidentit Hashim Thaçi janë krejtësisht të pabazuara në realitetin politik të Tiranës dhe Prishtinës. “Më shumë është një tendencë për të qenë i pranishëm në media dhe në biseda kafehanesh sesa një skenar serioz dhe konkret. Është absolutisht e qartë se si bëhen këto ndryshime të mëdha gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan dhe asnjëherë nuk janë bërë në këtë mënyrë. Pra, nevojitet një ndryshim i madh dhe një presion i madh ndërkombëtar për tu bërë të bërë të mundur ndryshime të tilla dhe deri tani nuk ka asnjë mbështetje konkrete”, thekson ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë