Politike

Rama jep ‘Besën’ e mandatit të katërt

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka prezantuar dokumentin strategjik të quajtur “Besa”, të cilin e cilësoi si një udhërrëfyes për ndryshimin e qasjes së qeverisë në mandatin e katërt.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se zgjodhi këtë emër pasi, sipas tij, asnjë fjalë tjetër nuk e përshkruan më mirë nevojën që qytetarët të mos ndihen më të padëgjuar, të painformuar apo të përjashtuar nga vendimmarrja.

“E kam titulluar me një emër të vjetër dhe shumë të madh: Besa. Nuk gjeta asnjë fjalë që ta thotë më qartë që vendimet të mos përjetohen më si prerje në besë, të mos ndihen si të padëgjuar, të painformuar, të papërfillur”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, dokumenti synon të shërbejë si bazë për një ndryshim në marrëdhënien mes qeverisë dhe qytetarëve, duke vendosur në qendër besimin dhe komunikimin.

Rama tha se beteja e re politike nuk është mes qeverisë dhe qytetarëve, por mes atyre që kërkojnë një Shqipëri më të drejtë dhe të besueshme dhe atyre që, sipas tij, duan një vend të përçarë dhe pa besim te institucionet.

“Vija e re ndarëse e kësaj epoke nuk kalon mes atyre që dolën apo nuk dolën në protestë, por mes atyre që e duan Shqipërinë më të mirë edhe për ta, edhe me ta”, u shpreh kryeministri.

Ai e lidhi këtë qasje edhe me protestat e fundit, të cilat i ka quajtur “Bulevardi i Flamingove”, duke thënë se ato duhet të shërbejnë si një test për demokracinë dhe si një mundësi për të kthyer kritikën në ndryshim.

Rama solli si shembull rastin e një fermeri nga Lushnja, i cili, sipas tij, ishte përballur me arrogancë nga administrata, duke theksuar se raste të tilla janë “prova dhe sprova” për qeverisjen.

“Arbri nga Lushnja nuk është problemi ynë. Arbri nga Lushnja është prova dhe sprova e asaj që kemi me vete si bartës të besimit që kemi marrë me 83 mandate”, tha Rama.

Çfarë u tha tjetër?

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një mbledhje me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe qeverinë në Pallatin e Brigadave, ku ka prezantuar dy dokumente që, sipas tij, lidhen me drejtimin e mandatit të katërt qeverisës.

Rama deklaroi se dokumentet janë rezultat i një reflektimi të tij dhe se do të jenë të hapura për diskutim, ndryshime dhe përmirësime.

“Kam sjellë sot me vete dhe dy dokumente. Janë dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim përpara pasqyrës së bulevardit të flamingove dhe janë të hapura për t’u lexuar, ndryshuar që ta përmbushin sa më mirë qëllimin e tyre”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, dokumenti i parë është një strategji për ndryshimet që duhet të sjellë mandati i katërt në qeverisje, ndërsa dokumenti i dytë lidhet me mënyrën sesi Partia Socialiste duhet të mbështesë këtë proces.

“I pari është dokument strategjik për kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt në qeverisje. I dyti është një aneks sesi PS duhet ta mbështesë kthesën e mandatit të katërt”, u shpreh Rama.

Kreu i socialistëve deklaroi se protesta e zhvilluar në qershor para Kryeministrisë përfaqëson një pikë kthese për mënyrën e qeverisjes, duke theksuar se qytetarët nuk gjykojnë më vetëm mbi investimet, por mbi pritshmëritë dhe përvojën e tyre të përditshme.

Në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe qeverisë, Rama tha se “Bulevardi i flamingove” nuk duhet parë thjesht si një protestë, por si një pasqyrë që shoqëria i ka vendosur përballë qeverisë.

“Mësimi i parë është që faktet tona nuk mjaftojnë më. Njerëzit nuk jetojnë më me kënaqësinë e asaj që është ndërtuar, por me pritshmëri që rriten më shpejt sesa mundësia jonë për t’iu përgjigjur. Nuk mjafton më ta qeverisim të tashmen me investime, por në harmoni me përvojën e përditshme të qytetarit”, u shpreh Rama.

Sipas tij, Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, ku qytetarët nuk krahasojnë më realitetin me të kaluarën, por kërkojnë standarde gjithnjë e më të larta.

“Unë pashë mbylljen e një epoke dhe fillimin e një tjetre. Epoka e mbyllur është ajo e mungesave. Epoka e hapur është epoka e pritshmërive, ku rruga e re është standard, jo fitore. Çdo shërbim merret i mirëqenë dhe asnjë mungesë nuk tolerohet. Deviza e kësaj epoke është: ‘Ka edhe më mirë’”, tha kryeministri.

Rama u ndal edhe te perceptimi i protestuesve, duke theksuar se ata nuk duhen konsideruar “mosmirënjohës”, por si qytetarë që matin qeverinë me standarde të reja.

“Ju nuk jeni mosmirënjohës, por matësit e rinj të standardeve tona. Shqipëria e re që kemi ndërtuar nuk jeton më me hijen e së kaluarës. Kjo është perspektiva e re që duhet të kuptojmë të parët ne që qeverisim”, deklaroi ai.

Sipas kryeministrit, mesazhi i protestave është se qeverisja duhet të përshtatet me pritshmëritë në rritje të qytetarëve dhe jo vetëm me arritjet infrastrukturore apo treguesit ekonomikë.

Rama deklaroi po ashtu se ligji për zonat e mbrojtura do të rishikohet dhe do të harmonizohet plotësisht me direktivat e Bashkimit Evropian, duke theksuar se asnjë ndryshim nuk do të miratohet pa dakordësimin e Komisionit Evropian.

Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe qeverisë, Rama u ndal te debatet që kanë shoqëruar këtë ligj, duke thënë se ai është përdorur si argument në protestat e fundit dhe në diskutimet në nivel evropian.

“Ligji për zonat e mbrojtura, që përdoret si benzinë për zjarrin e protestës, përfshirë edhe nga eurodeputetë, do të skanohet nen për nen për ta përputhur 100% me direktivat e Bashkimit Evropian. Nuk kalon asgjë pa miratimin e Komisionit”, u shpreh Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë