Lajme

Rama: Jemi gati bisedojmë edhe me ata që hedhin kapsolla

I qetë ndoshta nga fakti se në Parlament nuk ndodhej në presionin e protestave të opozitës apo të sulmeve me kapsolla, kryeministri Edi Rama mori fjalën në seancën plenare për të dhënë qëndrimin e tij mbi krizën politike. Në një fjalim të gjatë afro 45 minuta, kryeministri Edi Rama nuk ka ngurruar që të sulmojë aksionin politik të opozitës që ndodhet jashtë Parlamentit.
Rama pati një shpërthim kur shprehu haptazi kundërshtimin se mund të ndryshojë qeverinë, duke përdorur kapsolla, duke ironizuar PD-në, e cila sipas tij, u gëzua dhe me vendimin që mori Parlamenti i Holandës për të propozuar vendosjen e vizave me Shqipërinë.
“Si mundet që lufta e verbër për pushtet ta çojë një parti politike e disa në këtë pikë, që dëshpërimi i humbësit të arrijë deri në pikën ku humbësi të presë rrënjët e të sillet me vendin si të ishte armik i vendit të vet. Të katandiset në derexhenë që ata që braktisën detyrën të kthehen në zëdhënës entuziastë të atyre që nuk duan t’ia dëgjojnë emrin Shqipërisë. Si mundet që alibitë e forcave politike atje të gjejnë vend këtu në vendin tonë. Si mundet që bëni vetëm thirrje për zjarr, sherr, shporrje, vdekje. Është momenti për tu thënë shumë miqësisht, vëllezërit, atyre që kanë njëmijë e një arsye që nuk e duan këtë qeveri, që shkuarja pas berihajit të këtyre forcave të degraduara deri në pikën që janë gati të përqafojnë çdokënd që është gati ti fusë shkelm vendit në një poçes që nuk është i PS por i shqiptarëve, dëmton direkt ata vetë. Nuk e ndryshojnë qeverinë me kapsolla dhe duke kënduar himnin stonato, sado stonato ta këndojnë qeveria nuk lëviz, duke kërcënuar, penguar, bllokuar, shantazhuar, nuk e ndryshojnë dot qeverinë duke kërcënuar, shantazhuar, apo bllokuar. Është e pamundur. Edhe sikur të futen këtu dhe të këndojnë këngë patriotike. Jemi gati ti japim më shumë garanci atij që e kërkon, por parlamenti erdhi nga zgjedhjet më të pakontestueshme. Ka edhe një ofertë tjetër, se me këtë lloj xhiroje do rrëzohet qeveria, do të bjerë Parlamenti dhe do të bëhen zgjedhje të parakohshme dhe na qenkan edhe shumicë, ajo 170 mijë vetë në bulevard, do të çlirojë Shqipërinë. Duhet të jesh totalisht i gatshëm ta lesh mendjen pushim, që të pranosh çmenduri të tilla”, deklaroi Rama.
Sipas tij, dorëzimi mandatit me idenë se nuk dëgjohet, duke imituar jelekëverdhët francezë për të djegur vendin me pretendimin se kështu çlirohen institucionet, sistemi merr cilësi të re, kjo është shprehje monumentale e dëshpërimit dhe kurorëzimi i një rruge pa krye i një partie pa kokë, sy, veshë, zemër, pa asgjë.
Por Rama në fund të fjalimit të tij të gjatë dha edhe sinjale lëshimi, duke qenë i gatshëm të bisedojë edhe me atë që ai e cilësoi si "Partia Demokratike Rrugore", për të biseduar për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
“E kemi thënë edhe atë tjetrën se jemi gati të pranojmë, të komunikojmë edhe të diskutojmë edhe me ata me të cilët janë dhënë mbas kapsollave. Jemi gati që në reformën e komision të reformës zgjedhore kanë vendin e tyre të vijnë me statusin e vëzhgues special, sepse nuk kemi çfarë të bëjmë kemi një Parti Demokratike parlamentare, por edhe një Parti Demokratike Rrugore. Me Partinë Demokratike Rrugore jemi gati të gjejmë mënyrën që të gjejmë një pit stop (ndalesë) në Parlament, por nuk mund të dalim në rrugë edhe të bëjmë një garë se kush hedh më shumë kapsolla, ai ka më të drejtë, këtë nuk e bëjmë dot”, tha ai.
Gjithashtu kryeministri në përpjekjen për të bindur opozitën, bëri publik dhe një hap tjetër që është gati të realizojë ndryshimet në Kodin Penal sa i përket shitblerjes së votës. “Të adresojmë në Kodin Penal masa të reja për integritetin e votës, për shitblerjen e votës, do bëjmë propozimet tona, palët po ashtu dhe e shtrëngojmë rrethin për ata që janë si të thuash ushtrues të këtij aktiviteti të paligjshëm në fushatë”, tha Rama. Në të njëjtën kohë ai theksoi se aktualisht sot ka një debat në Parlamentin italian për të shitblerjen e votës, ka të dënuar për bashkëpunim me mafien, por nuk ka thënë ndonjë politikan se nuk mund të njihen zgjedhjet në atë zonë apo në të gjithë Italinë.

Një qëndrim i ri ky i kryeministrit në lidhje me krizën politike, i cili disa javë më parë hidhte poshtë çdo kërkesë të opozitës, e cila po protestojmë përsëri. Deklaratat më të fundit të kreut të qeverisë shihen edhe si sinjale për arritjen e ndonjë kompromisi politik me opozitës, e cila edhe ajo i ka zbutuar tonet ndaj qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë