Politike

Rama: Ja çfarë u plotësoj studentëve nga 8 pikat

Nga Bledar Hoti - Nga tetë pika të studentëve, qeveria nuk mund t’i plotësojë të gjitha, por vetëm një pjesë të tyre. Qeveria ka zhvilluar një mbledhje kushtuar vetëm plotësimit të kërkesave të studentëve, të cilët kishin 16 ditë që protestonin. Pas mbledhjes ka qenë vetë kryeministri Edi Rama që ka shpallur disa nga vendimet e posaçme të miratuara që synojnë plotësimin e kërkesave të studentëve. Pavarësisht se kryeministri e cilësoi si plotësim të kërkesave 8 plus, ato më baziket të studentëve nuk përmbushen të gjitha. Kreu i Ekzekutivit ka vendosur edhe afatet se kur do të plotësohen konkretisht.

Kërkesa e parë
Kërkesa e parë e studentëve ka të bëjë me rritjen e buxhetit të arsimit në 5% të GDP, me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e infrastrukturës dhe mësimdhënies (universitete dhe konvikte). Kjo pikë e studentëve plotësohet pjesërisht, duke lënë pezull atë të rritjes në 5% të PBB-së të buxhetit të arsimit. Por për këtë pikë, Rama bëri të ditur se ka marrë 4 vendime të posaçme që kanë të bëjnë me përcaktimin e kategorive të individëve që plotësojnë kriteret e pranimit në një program të ciklit të dytë të studimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, që përfitojnë ulje të tarifës vjetore të studimit.
Mbi bazën e këtyre akteve qeveria ka vendosur që të paguajë tarifat e nivelit të parë të studimit, Bachelor, për këto kategori: Studentët nga familje në ndihme ekonomike, si edhe të verbrit dhe studentët paraplegjikë e tetraplegjikë përfitojnë financimin 100% të tarifës së regjistrimit. Studentet nga familje me ndihmë ekonomike, të verbër, paraplegjikë e tetraplegjikë përfitojnë bursë 10.000 lekë në muaj.

Tetë kërkesat e Studentëve


Ndërsa te studentët e ekselencës me mesatare me notën mbi 9 në çdo program studimi, përfitojnë financimin 100% të tarifës së regjistrimit, nga tarifë e plotë që paguanin përpara këtij vendimi.


“Studentët me notë mesatare mbi 9, në çdo program studimi, përfitojnë bursë 10.000 lekë në muaj, ndërkohë që kjo masë ishte në nivelin 8,100 lekë dhe vetëm për studentët me mesatare 10,00”, shpjegoi Rama.
Ndërsa edhe për ata studentët “ngelës” apo me nota pesë do të përfitojnë nga mos pagimi i tarifës, por vetëm për një vit, pasi kjo do të kushtëzohet nga rezultatet që do të kenë në vitin akademik. “Një mundësi e ndershme për çdo student: Të gjithë studentët e tjerë përfitojnë financimin 50% të tarifës së regjistrimit, me pranimin në universitet, të cilët deri përpara këtij vendimi paguanin tarifën e plotë të regjistrimit. Studentët e humbasin këtë mundësi nëse nuk mbajnë gjatë studimit një mesatare mbi 6 në vitet pasardhëse”, bëri të ditur Rama. Ndërhyrja në këtë VKM parashikohet që përfitues të jenë edhe studentët e nivelit master, ku do të preken edhe tarifat e nivelit të dytë të studimeve. “Studentët me notë mesatare mbi 9 në hyrje, studentët nga familje në ndihmë ekonomike, si edhe të verbrit dhe studentët paraplegjikë e tetraplegjikë, jetimë, fëmijët e policëve të vrarë dhe të gjithë grupeve të tjera të përcaktuara në këtë vendim, përfitojnë financimin deri në 50% të tarifës së regjistrimit, kategori të cilat deri përpara këtij vendimi paguanin tarifë të plotë”, është vendimi i qeverisë që u shpall nga kryeministri Rama. Këtu vendime hyjnë në fuqi menjëherë, duke shtrirë efektet nga janari i vitit 2019. Qeveria sa i përket tarifave të studentëve, nuk ka ofruar ulje të tyre, pasi nuk preket autonomina e universiteteve, duke ndërhyrë vetëm në atë që mund të quhet subvencion i shtetit për lehtësimin e studentëve.


Mos plotësimi i 5% të PBB-së
Në pikën parë të studentëve kërkohej rritja me 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto i buxhetit të Arsimit me qëllim që të realizohen kërkesat e studentëve për ulje tarifash dhe përmirësimin e infrastrukturës së mësimdhënies dhe të kushteve në konvikte. Por kryeministri Edi Rama e preku këtë kërkesë vetëm në fund të konferencës. Ai bëri të ditur se kjo është një pikat që nuk plotësohen nga ana e qeverisë. “Për sa i takon kërkesës për 5% nuk u prek, por edhe kjo duhet shpjeguar me të mirat për kontributet e shqiptarëve do të vijnë duke u rritur dhe do të shpjegohet se si pse nuk e realizojmë dot”, theksoi Rama.

Protesta e studentëve, 7 dhjetor 2018 para ministrise se Arsimit

Kushtet e konvikteve, kampusi brenda 3 viteve
Sa i përket përmirësimit të kushteve në qytetet e studentit, kryeministri bëri të ditur se qeveria ka miratuar Aktin Normativ për të ndryshuar buxhetin e shtetit, ku një fond prej 300 milionë lekësh shtesë për Qytetin Studenti. “Nëpërmjet një financimi total prej 16.8 milionë euro si më sipër, dhënë nga Qeveria Gjermane, do të mundësohet rehabilitimi i një numri maksimal prej 13 godinash të rezidencave studentore universitare në Tiranë (nga 37 godina që përllogariten të jenë në total në qytetin e Tiranës). Ministria e Financave dhe e Ekonomisë është duke negociuar me KFW për të vazhduar rehabilitimin e banesave studentore, për një projekt me vlerë 27 milionë euro nga të cilat 7 milionë euro grand dhe 20 milionë euro kredi”, theksoi kryeministri. Sipas tij, për rikonstruksionin e këtyre godinave duhet të një afat trevjeçar.
Kreu i qeverisë foli gjithashtu edhe për çështjen e ndërtimit të kampusit universitar që do të ndërtohet në Qytetin Studenti. Kjo ishte si pjesë e paketës 8 plus e qeverisë. “Për këtë çështje sot kam firmosur urdhrin “Për ngritjen e grupit të punës për përgatitjen e ngritjes dhe funksionimit te korpusit universitar të Tiranës”. Pasi siç dihet aty ka problematika në lidhje me çështjen e pronësisë, janë dhënë shumë ambiente me qira, janë bërë disa ndërtime e janë në proces legalizimi”, theksoi kryeministri.

Pika e dytë
Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit dhe IAL-ve, publikimi të gjitha shpenzimeve online është kërkesa e dytë e studentëve. Në lidhje me këtë kërkesë, qeveria bëri të ditur se ka marrë vendimin “Për garantimin e transparencës financiare në institucionet publike të arsimit te lartë”. Kështu parashikohet krijimi i portalit të transparencës dhe të trajtimit të ankesave me qëllim garantimin e transparencës në institucionet publike të arsimit të lartë. Portali të jetë i aksesueshëm nga të gjithë dhe në të të publikohen on-line: Të dhëna të detajuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet financiare të çdo institucioni të arsimit të lartë; Duke filluar nga viti buxhetor 2019, bordi i administrimit të institucionit të arsimit të lartë, nëpërmjet administratorit, të përcjellë çdo tre muaj, për publikim, të dhënat e detajuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet financiare
Gjithashtu do të publikohen online të dhënat për buxhetin afatmesëm (PBA),buxhetin vjetor, grantin nga buxheti i shtetit dhe të ardhurat e tjera, të gjitha shpenzimet operative, shpenzimet për kërkim shkencor dhe shpenzimet kapitale të çdo institucioni publik të arsimit të lartë. Gjithashtu do të jepen informacion për procedurat e prokurimit publik (parashikim/realizim) apo procedurat konkurruese të koncesionit/partneritetit publik privat; Vendimet e bordit, të senatit dhe organeve të tjera drejtuese/ vendimmarrëse; Kuotat e parashikuara për çdo vit akademik; Instrumentet dhe programet e shkëmbimit studentor dhe procedurat përkatëse; instrumentet e financimit të studimeve dhe procedurat përkatëse (bursat publike dhe ato specifike për çdo universitet); Marrëveshjet dy-apo shumëpalëshe në nivel universitetesh.
Në këtë vendim është përcaktuar të publikohen të dhënat për bursat dhe stimujt financiarë të ofruara nga shteti për studentët, CV-të e pedagogëve, si dhe rezultatet e kontrollit dhe të verifikimit të titujve shkencorë.
Për plotësimin e këtyre kritereve, Qeveria parashikon me këtë vendim krijimin e strukturave përgjegjëse për kontrollin e transparencës së arsimit të lartë për trajtimin e ankesave në platformën e transparencës on-line, kontrollin e transparencës. Si afat për realizimin e këtyre kërkesave është prilli i vitit 2019.

Kërkesa e tretë dhe e pestë
Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekanë, rektorë dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik. “Sot kam firmosur Urdhrin e Kryeministrit – Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për hartimin e modelit të statutit për institucionet publike të arsimit të lartë. Statuti Tip do të lehtësojë punën e IAL-ve për miratimin e statuteve të tyre, nga ku do të nisi procesi i zgjedhjeve te Këshillave Studentorë dhe Komisioneve të Përhershme. Cila do jetë zgjidhja? Mbyllja e procesit të statuteve te IAL-ve Publike; Asistencë Ligjore për ta nëse paraqitet e nevojshme. Hapja e zgjedhjeve për Këshillat Studentorë. Monitorimi i Komisioneve të Përhershme dhe përfaqësimi në të i Studentëve në përputhje me Statutin”, theksoi kryeministri. Ndërsa sa i përket plotësimit të pikës së pestë, që bordi i administrimit të IAL-eve të ketë numër të barabartë votash si nga MAS dhe IAL-t si edhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët, Rama bëri të ditur se Bordet do të shkrihen dhe se anëtarët do të qëndrojnë në detyrë, derisa të zgjidhen të tjerët.
“Të gjithë anëtarët e bordeve de fakto janë të shkarkuar, de jure do të qëndrojnë deri në zëvendësimin, pasi mund të ketë emergjenca. Zëvendësimet do të bëhen në mënyrë transparente Një prej anëtarëve të qeverisë, do të vijë si propozim nga student, jo student, por figura të njohura që janë për këtë fushë. Njëri prej anëtarëve që emërohet prej MASR, të vijë propozim nga studentët, por të jetë figurë publike në përputhje me ligjin. Senatet janë të lira ligjërisht që ndër vendet që ata kanë në borde të propozojnë një prej studentëve anëtarë senati, apo drejtues të Këshillit Studentor. Nëse kjo vendoset në Statutin e Universitetit, prezenca normohet definitivisht”, theksoi kryeministri. Afati i plotësimit të kushtit të pestë është prill-maj 2019.
Kërkesa IV-t, antiplagjiatura
Rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore. Kjo është kërkesa e katërt e studentëve, për të cilën qeveria bie dakord për t’u zbatuar. Për realizmin e kësaj nismeje janë marrë dy hapa nga qeveria. I pari ka të bëjë me miratimin e VKM-së, “Për kontrollin antiplagjiaturë të disertacioneve për fitimin e gradave shkencore”. Ndërsa hapi i dytë është hapja e konsultimit publik të projektligjit “Për kodin e sjelljes për integritet në kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”. Afati i realizimit është Qershor 2019. Krijimin e arkivit digjital të doktoraturave në Republikën e Shqipërisë, pranë Ministrisë Përgjegjëse për Arsimin është një nga synimet e vendimit të qeverisë.
Mbi bazën e VKM-së, universitetet, si dhe çdo institucion tjetër shtetëror që disponon kopje origjinale të disertacioneve kanë detyrimin që brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të depozitojnë pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin kopje të njehsuar me origjinalin si dhe materialin në formë elektronike. Ministria përgjegjëse për arsimin kryen kontrollin digjital antiplagjiaturë nëpërmjet një softueri për kontroll automatik si dhe programe apo pajisje të tjera. Ministria përgjegjëse për arsimin i përcjell institucioneve të arsimit të lartë rezultatet e gjetjeve nga kontrolli antiplagjiaturë, mbi bazën e të cilave do të bëhet rivlerësimi mbi gradën shkencore të dyshuar si plagjiaturë.
Institucioni i arsimit të lartë, brenda 90 ditëve nga vënia në dispozicion të gjetjeve të kontrollit antiplagjiaturë i njofton ministrisë përgjegjëse për arsimin vendimin e rivlerësimit përfundimtar për çdo gradë shkencore të shqyrtuar.
Kodi i Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë, që do të njihet ndryshe si Kodi i Etikës, përmban parimet dhe normat themelore të sjelljes së institucioneve të arsimit të lartë dhe atyre si edhe personelit të tyre akademik a kërkues shkencor, konform Kodit Europian të Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor.
Qëllimi i Kodit të Etikës është të kthejë në normë ligjore Kodin Europian të Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor dhe të shërbejë si një kornizë vetërregulluese për ushtrimin dhe mbajtjen e përgjegjësive ligjore, institucionale, profesionale, morale e shoqërore të institucioneve dhe të pjesëtarëve të komuniteteve akademike e shkencore.

Kërkesa e VI-të, karta e studentit
Kërkesa gjashtë për pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018 – 2019, duket se është një objektiv që nuk realizohet brenda këtij viti. Kryeministri në lidhje me këtë pikë bën të ditur se Ministria e Arsimit do të bëjë publike marrëveshjet e lidhura dhe listën e shërbimeve që përfitohen nga studentët me entet shtetërore, Bashkitë dhe subjektet private. “Është duke u draftuar një udhëzues teknik për mënyrën e aplikimit dhe çështje të tjera teknike që kanë lidhje me formatin dhe të dhëna të kartës, aplikimin online, etj., i cili do të marrë formë ligjore pas përfundimit të softit për aplikimin e kartës”, theksoi Rama. Në lidhje me këtë proces theksohet se brenda janarit 2019 parashikohet miratimi i 2 VKM-ve dhe se lëshimi i Kartës së Studentit mund të arrihet duke vendosur një afat tremujor nga shtatori-dhjetori i 2019-ës.

Kryeministri në takimin me studentët e UBT-së


Kërkesat VII dhe VIII
Ndërtimi i bibliotekave me standarde europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe dhe vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikimi i tij online dhe regjistrimi i leksioneve janë dy kërkesat e fundit të studentëve. Qeveria ka miratuar një VKM, “Për ngritjen e komisionit të përcaktimit të literaturës akademike ndërkombëtare në institucionet e arsimit të lartë, që do të përkthehen në gjuhen shqipe”, duke pretenduar se hedh një hap të madh në përmirësimin e titujve akademik, në IAL-të e vendit. Brenda muajit Mars të vitit 2019, do të fillojë funksionimi i bibliotekës dixhitale, që do të jetë e aksesueshme nga çdo student e staf akademik në të gjithë vendin. Sa i përket pikës së tetë, kryeministri bëri të ditur se ka firmosur Urdhrin, “Për ngritjen e Grupit të Punës për ndryshimin e VKM-së për Kodin e Cilësisë së Arsimit të Lartë”, në mënyrë që të adresojmë në këtë Kod shumë nga shqetësimet e ngritura nga studentët.

Gjithashtu sot është miratuar nga Këshilli i Ministrave edhe VKM “Për vlerësimin e performancës në mësimdhënie të personelit akademik në institucionet e arsimit të lartë, nëpërmjet Sondazhit Kombëtar të Studentëve”.
Ndërsa si pika shtesë, Rama bëri të ditur se është vendosur lidhja sistematike e IAL-ve publike dhe fakulteteve të tyre me ministritë e linjës, për të rritur: Financimin nga Ministritë për Kërkim Shkencor; Pajtimin e fakulteteve për ofrim shërbime konsulence ndaj Shtetit; krijimin e mekanizmave sistematikë, për praktika mësimore, stazhe dhe punësim të studentëve. Krijimi i fondit të solidaritetit që do të synojë të dedikojë 20% të fondit të përgjegjësisë sociale nga kontratat koncesionare për arsimin e lartë.

Ai premtoi punësimin e nxënësve të ekselencës në shtet, duke nxjerrë një VKM të posaçme për përfshirjen e tyre në administratën shtetërore.
Këto ishin nga këto pikat që kryeministri i shpalli sot, por që gjithashtu bëri të ditur se dialogu i tij me studentët do të vijonte. Por pyetjes së gazetarëve se nëse do të protestohej sërish në janar nga studentët, kryeministri dha përgjigjen më të papritur. “Nuk ka nevojë për ndryshim buxheti për realizimin e këtyre pikave. Në janar nuk do të paguajnë pjesën që i takon qeverisë dhe kjo çështje është e mbyllur. Plani im B, është shumë i qartë unë do të udhëheq protestën e studentëve, ju po qeshni, por shumë shpejt do ta kap protestën siç kam kapur të gjitha tjerat”, theksoi kryeministri. Ndërsa i bëri të qartë se ligji “Për Arsimin e Lartë” nuk ndryshon, duke iu drejtuar edhe pedagogëve që kanë peticione se ai u votua nga shumicat. “Pedagogët, ka prej atyre që janë shumë që janë heronj, ka edhe disa të tjerë që janë me atë shprehjen e atij filmi, sa gjëra bëhen në emrin tënd o popull. Kush kërkon prekjen e ligjit ka të drejtën e vet, por ligji është rezultat i një shumice që ka marrë mandatin e popullit, e as një pakicë e një pakice nuk mund të prekë ligjin”, theksoi kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë