Futboll

Rama ia pret shkurt futbollit, Liga thërret protesta

Më në fund, ka ardhur edhe reagimi i Kryeministrit Edi Rama për bojkotin e futbollit nga Liga Profesioniste prej disa javësh. Kreu i qeverisë ia ka prerë shkurt futbollit, duke theksuar se nuk e njeh gjuhën e forcës dhe se bojkoti le të vazhdojë sa të dojë. Sipas tij, për sportin dhe futbollin mund të bëhet diçka, por nuk ka pse futbollistët të jenë 10 vjet pa taksa. Mes të tjerash, Kryeministri Rama theksoi:

“Gjuha e forcës, e shantazhit, nuk funksionon me mua. Kemi bërë një ligj për sportin dhe kemi dhënë incentiva për futbollin që s’e ka bërë dikush, por që të na kërkojnë 10 vjet pa taksa futbollistët, kjo nuk funksionon. E dimë që futbollistët nuk paguhen me minimum jetik. Marrin mijëra euro dhe nuk mund t’u themi 10 vjet ju nuk keni taksë në një botë kur dhe Ronaldo dhe Mesi përfundojnë në gjykatë për taksa.

Patjetër një ulje fillestare, një TVSH 6% për investimet në sport. Patjetër që mund të shihet taksa e ndikimit në infrastrukturë, por patjetër që jemi gati të bëjmë atë që duhet dhe për zinxhirin e fëmijëve, por ndërkohë historia e futbollit me pronarë që duan të shkarkojnë në klube paratë që i detyrohen shtetit, nuk kalon, as historia e me biznesmenë të pasur që kanë veshur fanellën e futbollit dhe kujtojnë se mund të luajnë topash me qeverinë, nuk kalon. Ne jemi gati për të gjitha, por ka ardhur koha që edhe mbështetjet e bashkive të kalojnë në mbështetje për të tjerët. Te pjesa e profesionistëve gjërat janë të ndara dhe këto historitë me modele këtej dhe andej është mirë të mos na i tregojnë më, se i tregojnë keq.

Habitem si nuk e kanë mësuar akoma se gjuha e forcës, e bojkotit dhe e shantazhit nuk funksionon me mua. Duan të bojkotojnë, le të bojkotojnë, është e drejta e tyre. Janë të pavarur nga qeveria. Me qeverinë duhet të bashkëpunojnë dhe çfarë të marrin është “Ok”. Qeveria nuk ka detyrim, futbolli është industry. Nëse mendojnë se mund ta mbajnë në epokën e feudalizmit me ngastra, ku hidhet top e pritet top dhe nga ana tjetër fshihen lekë, mund ta bëjnë, por jo me ne.

Për vendin dhe futbollin ne jemi gati, por nuk shoh arsye që futbollistët të jenë 10 vjet pa taksa. Ka nga ju që jedni këtu që vrapojnë më shumë se ata dhe nga pikëpamja e vrapit”.

Pas këtyre komenteve të Kryeministrit Edi Rama ka reaguar Liga Profesionistëve e Futbollit. Përmes një deklarate për mediat, Liga paralajmëron përshkallëzimin e protestës.

“LPF është e vendosur për vazhdimin e bojkotit dhe përshkallëzimin e protestave, duke projektuar protestën masive të futbollistëve më datë 10 tetor 2020. Për këtë do të ngrihet një grup pune për organizimin e saj dhe sensibilizimin e opinionit publik”, thuhet në reagim.

Liga thotë se paralelisht do të përshkallëzojë edhe kontaktet me negociatorin e Qeverisë, Fidel Yllin dhe se mbetet në pritje të një reagimi nga ana e ekzekutivit.

“Deri më tani nuk kemi asnjë reagim nga qeveria për kërkesat e Ligës. Anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit mbeten shpresëplotë për një përgjigje sa më shpejtë nga ana e qeverisë dhe për veprime konkrete në shqyrtimin dhe plotësimin e këtyre kërkesave që mund të sjellin zgjidhjen e ngërçit të krijuar”, mbyllet reagimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë