Politike

Rama i përgjigjet Tsiprasit për Zvërnecin: Mos e ktheni një incident të izoluar në çështje të minoritetit grek

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me një letër publike ish-kryeministrit grek Alexis Tsipras, lidhur me reagimet për incidentin e ndodhur gjatë protestës në Zvërnec.

Në mesazhin e tij, Rama shprehet i habitur që edhe forca e re politike e Tsiprasit, sipas tij, ka kontribuar në shndërrimin e një incidenti të izoluar në një çështje me peshë më të gjerë politike, duke injoruar faktet dhe duke theksuar “gjysmë të vërteta” që, sipas kreut të qeverisë shqiptare, krijojnë perceptime të gabuara.

Rama thekson se ngjarja në Zvërnec nuk ndodhi gjatë një proteste të zakonshme për të drejtat e pronës, por në një klimë tensionesh të nxitura sipas tij nga dezinformimi dhe përpjekjet për të penguar aktivitetin e investitorëve ndërkombëtarë në prona private të blera ligjërisht nga pronarë me tituj të vlefshëm pronësie.

Rama nënvizon se çdo dëmtim i një qytetari, pavarësisht kombësisë, është i papranueshëm, por kujton se autoritetet shqiptare reaguan menjëherë duke arrestuar rojën private të përfshirë në incident, duke hequr licencën e kompanisë së sigurisë dhe duke shkarkuar drejtorin e Policisë së Vlorës.

“Çfarë më shumë do të prisnit dhe çfarë masash shtesë do të kishit marrë ju si kryeministër në këto rrethana?”, pyet Rama në letrën drejtuar Tsiprasit.

Sipas tij, nuk është as e drejtë dhe as e përgjegjshme që një incident i izoluar të paraqitet si provë e shkeljes së të drejtave të minoriteteve, të pronës apo të shtetit të së drejtës.

Rama argumenton se një qasje e tillë bie ndesh me vlerat evropiane dhe nuk mund të justifikohet nga interesat e fushatave elektorale.

Kreu i qeverisë thekson se angazhimi i Shqipërisë për shtetin ligjor, mbrojtjen e pronës dhe respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare është një detyrim kushtetues dhe evropian, i reflektuar në legjislacionin dhe institucionet e vendit.

Në reagimin e tij, Rama ndalet edhe te minoriteti grek në Shqipëri, të cilin e cilëson “një thesar” dhe vlerëson se ai gëzon të njëjtat të drejta dhe mbrojtje si çdo qytetar shqiptar.

Duke iu drejtuar Tsiprasit, kryeministri shqiptar shprehet se marrëdhëniet e mira fqinjësore ndërtohen mbi fakte, respekt për institucionet dhe shtetin ligjor, e jo mbi spekulime politike.

Në fund të mesazhit, Rama i uron sukses ish-kryeministrit grek në zgjedhjet e ardhshme, duke shprehur shpresën që forca e tij politike të shmangë retorikat nacionaliste dhe të mbështetet te faktet, institucionet dhe fryma e bashkëpunimit evropian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë