Politike

Rama i përgjigjet Pendarovskit për negociatat: E padrejtë ndarja e Maqedonisë dhe Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama nuk e fshehu pakënaqësinë ndaj disa deklaratave të Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili kërkoi nga Brukseli që të mos penalizohet edhe Shkupi për shtyrjen e hapjes së negociatave për shkak të krizës në Shqipëri.

LEXO EDHE: Pendarovski: BE mos i kthejë shpinën Shkupit dhe Tiranës, të hapë negociatat

Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku deklaratën e Pendarovskit përmes një gjuhe diplomatike e konsideron “thikë pas shpine” për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe kontributin që ata kanë dhënë për orientimin perëndimor të Maqedonisë.

“Presidenti Pendarovski nënkupton favorizimin e ndarjes nga Shqipëria në vendimin për negociatat? Çudi kjo qasje, sidomos kur konsideron kontributin kyç të Shqipërisë dhe shqiptarëve në zhvillimet demokratike dhe rrugën europiane të shtetit mik. S’duket as e drejtë, as praktike faktikisht!”, shkruan Rama në Twitter.

https://twitter.com/ediramaal/status/1139871230251732993

Presidenti maqedonas foli në një intervistë për “Wall Street Journal”, ku nuk ka fshehur frikën se për shkak të krizës politike në Tiranë, Brukseli mund të vendosë shtyrjen e hapjes së negociatave për të dyja vendet. Pendarovski kërkon që Maqedonia e Veriut të shkëputet nga Shqipëria dhe dy vendet të mos merren paketë.

“Sipas shumë vëzhguesve ndërkombëtarë dhe diplomatëve në Bruksel, mundësitë që Shqipëria të marrë një datë për negociatat në qershor janë minimale, ndërsa ne (Maqedonia e Veriut) mendojmë se kemi bërë gjithçka që na është kërkuar”, deklaroi Pendarovski.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë