Ne rrjet

Pendarovski: BE mos i kthejë shpinën Shkupit dhe Tiranës, të hapë negociatat

Presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovksi ka këshilluar Bashkimin Europian të mos i kthejë shpinën Shkupit dhe Tiranës, duke e paralajmëruar Brukselin se do të përballej me një krizë të re refugjatësh dhe rreziqe të reja që do të cenonin sigurinë e unionit.

"Nuk dua që kjo të tingëllojë si një kërcënim, por nëse në qershor udhëheqësit e BE do të bllokojnë hapjen e bisedimeve të pranimit me vendet aspirante si Maqedonia Veriore apo Shqipëria do të fillojë një krizë e re emigracioni”, tha Pendarovski në një intervistë me gazetën amerikane “Wall Street Journal”.

Presidenti i sapo zgjedhur i vendit fqinj thekson se vitin e kaluar Tiranës dhe Shkupit iu premtua se do t’u jepej një datë për negociatat, menjëherë pas zgjedhjeve europiane. "Ne po presim me padurim për këtë vendim”, tha Pendarovki. Ai pranon se trazirat e fundit politike në Shqipëri kanë dëmtuar perspektivën e vendit tonë  për t'u bashkuar me unioin europian.

"Sipas shumë vëzhguesve ndërkombëtarë dhe diplomatëve në Bruksel, shanset që Shqipëria të marrë një datë për negociatat në qershor janë minimale. Por ne mendojmë se kemi bërë gjithçka që na është kërkuar" thotë Pendarovski.

Stevo Pendarovksi

Presidenti është i bindur se mënyra sesi udhëheqësit e BE-së do të trajtojnë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të ndikojnë tek shpresat e qytetarëve të vendeve të tjera të Ballkanit. "Shumë nga të rinjtë këtu janë duke pritur për një sinjal pozitiv, por nëse Europa po heziton, atëherë shumë prej tyre do të shkojnë në Europë, duke përfshirë edhe kriminelët", tha Pendarovski.

Komisioni Europian pritet të japë rekomandimin e tij më 29 maj që BE-ja të fillojë bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ndërkohë që udhëheqësit e BE duhet të vendosin në qershor. Por gjendja shpirtërore në disa kryeqytete të Europës Perëndimore është shumë e zymtë kur bie fjala tek zgjerimi i BE.

Fitorja e Pendarovskit më 5 maj tregoi se një shumicë e vogël qytetarësh në Maqedoninë e Veriut e pranojnë marrëveshjen e emrit si çmim për t'u bashkuar me unionin europian.  Zyrtarët e BE në Bruksel paralajmërojnë se Europa tani duhet ta mendojë me kujdes verdiktin e saj.

"Në qoftë se do t’i mbyllnim derën Maqedonisë së  Veriut tani, do të humbnim plotësisht kredibilitetin në rajon", tha një zyrtar i lartë i BE-së për “Wall Street Journal”. "Ne duhet të japim shpërblime atje ku ka merita përndryshe do ta dorëzojmë rajonin tek rusët dhe kinezët".

Zoran Zaev dhe Edi Rama

Pendarovski paralajmëron nga ana tjetër se një vendim negativ i BE në qershor do të ishte një goditje serioze për të gjitha qeveritë pro-evropiane në Ballkan. "Çfarë do t'i them kombit tim të nesërmen?", tha ai.

Ai tha se frika e BE-së mbi zgjerimin rrjedh kryesisht nga problemet e saj të brendshme dhe nuk është faji i vendeve kandidate si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut.

"Pas krizës së madhe ekonomike, kalimi i refugjateve nga rruga ballkanike krijoi perceptimin se të gjitha gjërat negative vinin nga ky drejtim", shprehet Pendarovksi.

Ai është bindur se bashkimi me BE-në do të ndihmonte ekonominë e vendit fqinj dhe institucionet e brishta  demokratike.

"Ne nuk do të bëhemi Zvicra apo Gjermania  brenda natës, por nëse ka ndonjë shans për të përparuar është anëtarësimi në BE”, thotë presidenti.

Sipas ekspertëve në Shkup, mos hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut do të ishte një zhgënjim i madh për shqiptarët e vendit fqinj, mbështetja e të cilëve ka qenë jetësore për marrëveshjen e Prespës, por edhe fitoren e Pendarovskit.

Por sipas gazetës prestigjioze “Financial Times” BE-ja do të bënte një gabim edhe më të madh nëse hap bisedimet  me Maqedoninë e Veriut, por e mban Shqipërinë në ‘dhomën e pritjes’. “Një veprim i tillë do të ishte një goditje e rëndë për shqiptarët dhe do të joshte politikanët dhe aktivistët në Shqipëri dhe Kosovë të braktisnin reformat për hyrjen në BE dhe të përqafonin bashkimin e dy vendeve”, shkruan gazeta.

Fushata për zgjedhjet e Parlamentit Europian tashmë ka filluar, dhe jo çuditërisht, çështja e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, nuk është përmendur fare. Me ngërçin e Brexit dhe një sërë çështjesh të tjera të ngutshme, zgjerimi nuk është prioritet dhe do të mbetet mënjanë, të paktën derisa të formohen parlamenti dhe të zgjidhen drejtuesit e  Komisionit të ri Europian. Ashtu si thonë burimet diplomatike në Berlin, tema e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka të ngjarë të shtyhet, ndërkohë që Shkupi dhe Tirana presin të lodhur prapa dyerve të BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë