Politike

Rama i përgjigjet Metës: Vettingu nxori shejtanin nga djepi i drejtësisë

Mungesën prej kohësh të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Ilir Meta e përdori si argument për të përcjellë këtë të mërkurë mendimin e tij se reforma në drejtësi, në mos ka dështuar, është e pasuksesshme.

Këtyre komenteve të Presidentit, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj përmes rrjeteve sociale.

“A e pengon mungesa e Gjykatës Kushtetuese Presidentin e Republikës të mbrojë datën e zgjedhjeve, që sipas Kushtetutës ai e ka dekretuar?”, pyet Kryeministri në postimin e parë të tij.

Rama ndan një tjetër mendim nga Presidenti. Ai i referohet procesit të vettingut, si shtylla kryesore e reformës në drejtësi, që sipas Kryeministrit pastroi edhe Gjykatën Kushtetuese. “Falë Vetingut Gjykata Kushtetuese është sot një djep bosh pa shejtanin brenda! Kjo është më shumë se gjysma e një pune të madhe që kërkon durimin e kohën e saj”, vijon ai.

Presidenti Meta qortoi të dyja palët në fjalën e mbajtur në konferencën me temë “Sfida e Sigurisë”. “Dëgjoj njerëz duke thënë se çfarë bën presidenti? Unë kam bërë atë që më takon. Presidenti nuk mund të ulë disa persona që thonë nuk ulem me këtë se është kryeministër, ndërsa tjetri thotë se 30 qershori do të jetë sukses”, tha ai.

Për këtë pjesë, Rama i përgjigjet duke i kërkuar që të shprehet zyrtarisht dhe institucionalisht se ç’qëndrim ka mbi përbetimin e opozitës për të prishur zgjedhjet.

“Padiskutim Presidenti ka të drejtë kur thotë se djegia e mandateve është e papranueshme po dhe më i papranueshëm është përbetimi për të djegur zgjedhjet! S’e dimë opinionin e Presidentit për këtë dhe bashkë me kritikat e tij, mezi e presim apelin e vonuar në mbrojtje të 30 qershorit”, shkruan Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë