Nga Gazeta Si- Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Forumin Botëror Future Investment Initiative (FII), në një bashkëbisedim me Eleni Giokos, prezantuese dhe korrespondente e CNN.
Gjatë bashkëbisedimit, gazetarja e pyeti për projektin në Zvënrnec dhe protestat në Tiranë.
Rama u shpreh se shumica e shqiptarëve e duan projektin dhe ajo që shihet, sipas tij, nuk është ajo që po ndodh.
“Dëgjo, mos shko aty, sepse tani më kujton që je nga CNN dhe më vjen keq ta them, por e kam mësuar në mënyrën e vështirë se ju nuk jeni një burim objektiv. Por fakti që je greke më bën të ndihem i detyruar të mos shkoj aty. Po, toka është blerë nga investitorët. Po, është tokë private. Po, është duke u zhvilluar një vlerësim i ndikimit në mjedis. Po, ende nuk është miratuar asnjë projekt. Po, ende nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi. Po, nuk ka asgjë që duhet të shqetësojë ndonjë ambientalist që mendon drejt.
Dhe po, Shqipëria do të ecë përpara, dhe Shqipëria nuk mund ta shpëtojë Europën vetëm në një gjë: nëse rrjetet sociale vazhdojnë të funksionojnë pa kufizim, Europa do të shembet nga brenda. Dhe atëherë edhe mburojat kundër raketave dhe predhave nuk do të vlejnë, sepse nuk do të ketë më asgjë për të mbrojtur”, tha Rama.
Gazetarja ndërkohë i përmendi që Komisioni i BE-së thotë se duhet të respektohen rregullat mjedisore dhe po jep paralajmërime.
“Keni edhe çështjen e protestave. Si do ta ndryshoni mesazhin që ai të rezonojë me protestuesit dhe të siguroheni që Komisioni Europian të jetë në anën tuaj?”, i tha Giokos Ramës, ku si përgjigje mori se “shumica e popullit shqiptar e do projektin. Qyteti ku do të zhvillohet projekti është, në një shumicë shumë të madhe, në pritje të tij dhe nuk ka protesta. Pra, ajo që shihni ju nuk është saktësisht ajo që po ndodh”, tha Rama, duke shtuar se zemërimi ekziston por kur të zbehet dhe “kur t’i dërgoj një ftesë shumë të veçantë CNN-it për të ardhur në inaugurim, të gjithë do të jenë të lumtur”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje