Politike

Rama, fushatë tek inceneratori i Elbasanit: Votoni Lulin dhe merrni edhe Metën peshqesh

Kryeministri Edi Rama me strukturat e PS-së së Elbasanit zgjodhën të ulen në oborrin e inceneratorit të Elbasanit, (vendi më i kontestuar nga opozita) për të treguar ashtu si Taulant Balla apo Evis Kushti “se Elbasani tanimë ishte pastruar nga helmet”.

Në fakt objekti i takimit lidhej me platformën e shpallur nga PS  “deputeti që duam” dhe socialistët e Elbasanit zgjodhën ndërtimin e inceneratorit  si argument bindës për ata se pse njerëzit duhet të afrohen në PS e madje edhe të synojnë të kandidojnë për këtë forcë politike.

Taulant Balla sot në Elbasan

“Ne duam që njerëz të freskët, të rinj, të talentuar të vijnë në parlament dhe të përfaqësojnë zonat e tyre elektorale. Ne e kemi nisur këtë fushatë në mënyrë që të gjejmë kandidatët më të mirë nga të gjitha, rajonet, qytetet, nga i gjithë vendi. Ne e kuptuam se mënyra më e mirë për të arritur Shqipërinë që duam është të kemi deputetin që duam.

Ne ju bëjmë thirrje njerëzve të aplikojnë apo të nominojnë dikë që ata njohin, që ata besojnë se do të t’i përfaqësonte denjësisht ata. Ne jemi duke kërkuar për njerëzit më entuziastë, të kualifikuar dhe më të përgjegjshëm, për të qenë pjesë e listës së PS. Ne do t’i shtojmë listës sonë këta njerëz të rinj, prandaj kjo fushatë do të bëjë vërtet ndryshim”, tha kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla.

Ndërsa Ministrja e Arsimit, Evis Kushi u mor më së shumti me transformimin që sipas saj Elbasani kishte pësuar përmes inceneratorit, për të theksuar madje se, “si ky incenerator ishte prova më e mire se pse i duhej besuar PS-së”.

Edhe kryeministri Edi Rama foli për pastrimin e qytetit nga plehrat dhe për pasojë rëndësinë e inceneratorit, duke adresuar akuza në bllok ndaj PD dhe LSI.

“Imagjinoni që Shqipëria të mbetet në dorën të Lulzim Bashës, Kryemadhit, Metës e Berishës, pasi ata janë bashkë. Kjo duhet të shërbejë qartësisht si një arsye për ta menduar mirë zgjedhjen e tyre… Duhet të imagjinoj ca do të thotë që të votosh për të marrë Lulin dhe të marrësh peshqesh Ilir Metën. Të votosh për t’i dhënë pushtet PD dhe t’i rijapësh jetë për të vazhduar ose rifilluar t’i pijë gjakun shtetit LSI…”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë