Politike

Rama flet për negociatat. “Rinasi”, replika mes Lleshajt dhe Gjonit

Kjo e sotmja ishte e enjtja më e qetë e parlamentit. Opozita organizoi vetëm një protestë simbolike me të rinjtë në hyrje të godinës, ndërsa gjithë “bateritë” I ka lënë për të shtunën në protestën para Kryeministrisë.

Të rinjtë e FRPD-së në protestën simbolike sot para Parlamentit

Ndërkohë në seancë mazhoranca u përball me opozitën e re, ku nuk munguan replikat dhe debatet për aktualitetin politik dhe grabitjen e miliona e eurove në pistën e aeroportit të Rinasit. Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në foltoren e Kuvendit foli për çeljen e negociatave në BE. Kreu i qeverisë tha se Shqipëria e meriton plotësisht hapjen e negociatave sepse ka punuar shumë për këtë. Por sipas tij, ky është një vendim që merret nga Këshilli Europian, ku ndikon edhe dinamika e brendshme e vendeve anëtare. Në këtë pikë, Rama tha se te subjektiviteti i vendeve ndikimi i shtetit është relativ, duke i lënë përgjegjësinë opozitës nëse nuk ka çelje negociatash.
“Shqipëria ka ecur para dhe progres raporti në fund të majit do të rekomandojë pa kushte hapjen e negociatave. Rikonfirmimi i rekomandimit pa kushte, është edhe rikonfirmim pa kushte i një të vërtete të thjeshtë: Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat për të çelur negociatat për anëtarësim me BE. Nga brenda vendit, u jepet ushqim forcave kundër zgjerimit që nuk e mirëpresin çeljen e negociatave, një ushqim kundër interesave të këtij vendi, kjo është shumë e thjeshtë dhe lehtësisht e kuptueshme nga kushdo, nuk ka asnjë justifikim për eksportimin dhe nxitjen e konflikteve të brendshme në funksion të kësaj vendimmarrje dhe krijimit të aleancave me forca që janë kundër zgjerimit”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë deklaroi se nga pikëpamja e unitetit politik për anëtarësimin e vendit në BE, Shqipëria është më mbrapa se në të shkuarën, duke iu referuar në këtë mënyrë situatës politike.
“Nga pikëpamja e unitetit politik jemi sot më pas se ç’kemi qenë për vite e vite të tëra në të shkuarën, ku pavarësisht sherreve që e kanë shoqëruar zhvillimin demokratik të vendit, forcat politike kanë qenë gjithmonë në funksion të këtij objektivi të palëvizshëm”, theksoi Rama.
Kryeministri është i bindur në fitoren e zgjedhjeve nga socialistët edhe në vitin 2021 dhe tha se opozita ka kohë të përgatitet deri atëherë.
Ai thumboi edhe kreun e PD-së Lulzim Basha për videot e fundit të postuara nga makina gjatë takimeve në qytete të ndryshme. Rama u shpreh se ka kohë të përmirësojë edhe selfiet.
“Duam t’i mundim në 2021 me rregulla të dakordësuara bashkërisht. Kanë kohën të reflektojnë. Deri në 2021 kanë kohën të organizohen, të përmirësojnë dhe selfiet nga vetura dhe në momentin e përballjes elektorale të shohim se çfarë mendon populli shqiptar.

Rudina Hajdari: Zero rezultat në luftën ndaj korrupsionit

Deputetja e opozitës Rudina Hajdari u shpreh se raporti i ministrave të qeverisë për ecurinë e progresit të vendit nuk është i saktë. Sipas saj vendi vijon të jetë në një krizë institucionale dhe lufta ndaj korrupsionit është në fazën zero.
“Faktet nuk gënjejnë, ka ardhur koha të themi të vërtetën, që shqiptarët po përballen me një krizë të thellë institucionale. Vitin e kaluar BE dha një deklaratë dhe na paraqiti detyrë kryesore rishqyrtimin për çeljen e negociatave. A jemi sot më mirë se një vit më parë.
A është përmbushur kjo ëndërr? Raporti tregon ndryshe, raporti i ministrave thotë se kemi rezultate të jashtëzakonshme, sa është e vërtetë kjo? Mendimi im është që jo. Sepse Këshilli i BE, tha se Shqipëria ka 5 probleme kryesore, sikundër iu tha Maqedonisë, të cilët i kanë shanset me të larta se ne. Këto 5 kushtet duhet të kishin arritje gjatë këtij viti. Kemi zero rezultat kundër luftës së korrupsionit. Paaftësia ndaj krimit të organizuar tregon qartë se nuk kemi vullnet në përparimin në këtë pjesë”, tha ndër të tjera deputetja Hajdari.

Replika mes deputetit Ralf Gjoni dhe ministrit Lleshaj

E ndërsa kryeministri Rama u largua nga seanca pas fjalës së mbajtur, debati u zhvendos te grabitja e miliona eurove në aeroportin e Rinasit. Deputeti i opozitës, Ralf Gjoni, i kërkoi Presidentit që të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ndërsa i bëri thirrje ministrit të Brendshëm, Lleshaj që nëse për 2-3 javë nuk kapen autorët dhe të gjenden lekët të japë dorëheqjen, teksa javën e ardhshme njoftoi se do ta thërrasin në interpelancë.

“Nuk ka shanse që në një Republikë normale grabitësit të futen me furgon në aeroport. Çfarë diskutimi mund të kemi ne për votën kur në mes të ditës vidhen 10 mln euro në mes të ditës. Sot territori i Shqipërisë është në kaos. Zoti Lleshaj, unë në vendin tuaj, nëse fajtorët e këtij krimi nuk identifikohen dhe konfiskohen paratë unë do të kisha dhënë dorëheqjen, jo sot por brenda 2-3 javëve. U kërkoj kolegëve të opozitës dhe të kërkojmë interpelancë me ministrin e Brendshëm që të japë llogari për rendin publik. Presidenti të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare”, tha ndër të tjera Ralf Gjoni.
Ndërkohë, ministri Lleshaj tha se ngjarje të tilla ndodhin në çdo vend, ndërsa në rastin konkret policia reagoi në kohë rekord.

“Gjëra të tilla mund të ndodhin kudo. Ajo që ka ndodhur është e rëndë. Ne kemi marrë masa të forta të plota për të zhbërë një histori turpi që është transferuar para 20 viteve në duart e një privati. Transferuam sovranitet në duart e një koncesionari privat. Nëse shikoni do të gjeni edhe emra të njohur që kanë kontribuuar në këtë situatë. Po është një cënim i sigurisë kombëtare dhe jo rrëzim. Aktorë dhe përgjegjës ndër vite për këtë situatë shqetësohen pse ndërhyri ushtria në aeroport. FA e ka në mision kushtetues sigurinë kombëtare. Nëse konstatojmë se është cenuar apo kërcënuar, FA ka detyrë që të japë kontributin e tyre. Nuk ka asgjë për t’u alarmuar. Policia reagoi në kohë rekord dhe në mënyrë të paparë”, u shpreh ministri Lleshaj.
Ndërkohë, sot në Kuvend u betuan edhe tre deputetë të rinj opozitarë nga lista e Partisë Demokratike. Ata janë Halil Jakimi, Arlind Çaçani dhe Korab Lita.
Numri i deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë arrin në 102 me 3 deputetët që u betuan sot, pasi 79 janë të shumicës dhe 23 të opozitës. Ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon që të japë mandatet për kandidatët nga listat e PD-së dhe LSI-së.

 

Më Shumë