Politike

Rama e Tsipras takohen në Londër

Udhëheqës të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian do të mblidhen të martën në Samitin e Londrës, si përvijim i takimeve të Procesit të Berlinit.

Mes të pranishmëve në këtë samit do të jetë edhe Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij grek, Alexis Tsipras. Dy kryeministrat do të shfrytëzojnë këtë samit për të zhvilluar një takim me njëri-tjetrin.

Agjencia IBNA, duke cituar burime diplomatike të saj nga Athina thotë se mes Ramës dhe Tsipras do të diskutohet progresi i bërë në bisedimet mes dy vendeve për kufirin detar dhe të tjera çështje që qëndrojnë mes Athinës dhe Tiranës.

Si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi zyrtarët kanë qenë të rezervuar në deklarimet e tyre sa u takon bisedimeve për kufirin detar. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati dhe homologu i tij grek, Nikos Kotzias kanë folur javët e fundit për një progres të qenësishëm dhe se marrëveshja po shkon drejt mbylljes.

Ajo që dihet, të paktën nga deklaratat publike të tyre është që mes grupeve negociatore në bisedime është përdorur parimi i barazlargësisë. Por, Partia Demokratike flet për tradhti kombëtar. Në ditët e para të qershorit, ish-Kryeministri Sali Berisha fliste për një imponim të palës greke ndaj asaj shqiptare.

“Pala greke, në mënyrën më arrogante dhe prepotente i kanë dorëzuar palës shqiptare marrëveshjen përfundimtare dhe i kanë thënë: Merreni se për këtë s’ka asnjë koment, asnjë diskutim. Pra, që s’mund ta komentojmë e diskutojmë.Disa anëtarë të delegacionit kanë shprehur refuzimin e plotë, kanë bërë letra për shefat e tyre ku i njoftojnë për imponimin që kërkon të bëjë pala greke. Skapi famoz dhe agjenti Muçollari arrinin që të falsifikojnë edhe minutat e diskutimeve, të bindin për të firmosur letra pasi janë hequr gjërat nga aty. Dy persona secili më i zi se tjetri, Skapi famoz dhe spiuni Muçollari, i njohur se punon në çdo rast kundër Shqipërisë. Nga Edi Rama, anëtarët kanë marrë kërcënime për largime imediate nga Athina dhe bisedimet”, deklaronte Sali Berisha.

Bisedimet kanë shkaktuar pakënaqësi edhe tek opozita greke, që thërriti një interpelancë Nikos Kotzias për ta pyetur në lidhje me bisedimet me Shqipërinë për çështjen e kufirit detar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë