Treg

Rama e mban fjalën: Tarifat në doganë për plastikën do të rriten

Sabina Veizaj - Teksa Komisioni Europian diskutonte për një strategji që lufton plastikën e cila është bërë gangrenë për detrat dhe mjedisin në përgjithësi, kryeministri Edi Rama do të miratonte më 26 prill 2018 një VKM për heqjen nga qarkullimi të qeseve plastike që përdoreshin në atë kohë dhe zëvendësimin e tyre me qese plastike të biodegradueshme që plotësonin një sërë kriteresh.

Servise plastike me ngjyra

“E jona nuk është një strategji anti-plastikë. Plastika mbetet e domosdoshme për ekonominë. Industria e këtij sektori u jep punë 1,5 milionë njerëzve në BE. Por si mund të pranojmë që çdo sekondë kilogramë të tërë plastike hidhen në dete në botë? Jam i bindur që strategjia jonë në realitet do të jetë një mundësi për industrinë tonë”, do të thoshte Zv/Presidenti i Komisionit Europian, Frans Timmermans.

Në muajin maj, Komisioni Europian propozoi disa norma për të reduktuar mbetjet plastike në det, mes tyre do të ishte mospërdorimi i serviseve plastike njëpërdorimshe dhe produkte të tjera.

Servise plastike

Po në maj, vetëm pak kohë pas miratimit të VKM-së kryeministri Rama nga Landfilli i Durrësit deklaroi se “do t'i ndalojmë fare qeset. Vendim i dhimbshëm është, por do t'i ndalojmë”


Gjatë kësaj periudhe në Komsionin Europian strategjia për të reduktuar përdorimin e plastikës ishte temë dite, ndërsa në Tiranë ishte hartuar paketa e re fiskale.
Më 5 nëntor Parlamenti Europian do të miratonte direktivën e cila do të ndalojë përdorimin e produkteve njëpërdorimshe duke nisur nga 2021 dhe për më tepër brenda 2025-ës, shtetet anëtare do të duhet të mbledhin dhe riciklojnë 90% të shisheve plastike njëpërdorimshe të pijeve. Sipas Raportit të Parlamentit Europian, shishet dhe tapat e tyre janë gati 20% e të gjithë plastikës që gjendet në det.   

Në këtë kohë bëhet publike paketa fiskale, e cila ndër të tjera reflekton edhe ndryshimin e tarifave doganore për produktet plastike dhe lëndën e parë.
Referuar Paketës së re Fiskale 2019, tanimë nuk do të tarifohen vetëm produktet e plastikës njëpërdorimshe, por edhe lënda e parë për të prodhuar në vend. Tarifat do të jenë respektivisht 25 lekë për kg për lëndën e parë të plastikës që do të prodhojë në vend sende plastike dhe 35 lekë për kg për produktet plastike të importit.
Aktualisht nuk tarifohen produktet e plastikës në tërësi, por vetëm ambalazhet dhe produktet njëpërdorimshe në masën 100 lekë për kilogram. Nëse i importon, paguan në doganë 100 lekë për kilogram. Nëse i prodhon në vend, paguan 100 lekë për kg në shitje.
Shoqata e Konvertuesve të Plastikës dhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë do ta kundërshtonte këtë propozim të Minsitrit Arben Ahmetaj me argumentin se penalizon prodhimin vendas.


“Ne kemi kundërshtuar 25 lekëshin sepse është shumë e ngushtë diferenca, 25 për prodhimin vendas me 35 për produktin e gatshëm. Për më tepër, që kjo vlen vetëm për kodin 39 të nomenklaturës së mallrave, që do të thotë që e gjithë lënda e parë futet aty dhe merr taksë 25 lekë për kg. Kurse jo çdo produkt që ka përmbajtje plastike futet në S kode.
Dhe duke mos u futur në këtë kod, nuk merr taksë 35 lekë për kg. Psh. marrim një karrike që ka skeletin metalik dhe ka ulësen e mbështetësen plastike, nëse kjo vjen e gatshme nga importi, kjo klasifikohet në kod tjetër dhe nuk paguan doganë për pjesën plastike që ka. Nëse një prodhues i këtyre karrikeve, do të blejë plastikën këtu për të bërë karriken në vend, automatikisht ai paguan 25 lekë për kg. Kjo është pjesa e fshehur”, ka thënë për Gazetën “Si” Vullnet Haka drejtuesi i Shoqatës së Konvertuesëve të Plastikës.

Shoqata në një dëgjesë të para pak kohëve në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese ka kërkuar që të mbrohet prodhimi vendas duke ulur tarifën doganore për lëndën e parë në 10 lekë për kg nga 25 lekë për kg që është propozuar.


Nëse Ministria e Financave nuk ndryshon propozimin e saj, ndikimi që parashikojnë aktorët e sektorit është 20% mbi vlerën e lëndës së parë.
Dhe në rastin kur për produktin e gatshëm aplikohet një tarifë doganore prej 35 lekë/kg , ndikimi parashikohet të jetë gati 15 % mbi vlerën e produktit të gatshëm.
Sipas aktorëve të këtij sektori, që këtu diskriminohet produkti vendas dhe nëse nuk e ndryshojnë vendimin - sipas Hakës - do të mbyllen shumë biznese.     


Në maj, kur Kryeministri Rama hodhi propozimin se brenda vitit do të hiqen fare nga qarkullimi qeset plastike, Ministria e Financave, ajo e Sipërmarrjes dhe e Mjedisit thanë se nuk kishte një projekt apo draft konkret dhe qasja ishte në perspektivë.
Por, duke parë zhvillimet në BE për këtë çështje dhe ndryshimet në paketën fiskale për tarifat doganore në lidhje me produktet plastike dhe lëndën e parë, deklarata e kryeministrit nuk tingëllon një e thënë emocionale e çastit.

Por, në Evropë Komisioni Europian do t'i vërë në dispozicion industrisë së riciklimit në BE 100 milionë euro për të investuar në kërkimin teknologjik. “Problemi sigurisht është periudha e tranzicionit”, do thoshte në fillim të nëntorit Zv/Presidenti i Komisionit Europian.
Kurse heqjen fare nga qarkullimi të qeseve plastike kryeministri Rama do ta kalonte vetëm me një shprehje keqardhjeje.

Në biznesin e riciklimit janë të punësuar në mënyrë të drejpërdrejtë mbi 2300 njerëz, por në sektorin e riciklimit ka një rrjet individësh grumbullues të cilët mendohet të jenë 35 mijë në të gjithë Shqipërinë.
Xhiroja vjetore që realizon gjithë industria e riciklimit; metale, metale me ngjyrë, letër, plastikë etj., shkon në mbi 150 mln euro dhe industria e riciklimit të plastikës zë mbi 30%.
Aktualisht në vendin tonë ushtrojnë aktivitetin e riciklimit të plastikës 25 kompani, 10 prej të cilave janë kompani të mëdha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë