Politike

Rama: Drejtësia për 21 janarin mund të vonojë por s’ka për të munguar

Nga Gazeta 'Si'-Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar nga Asambleja e Zgjeruar e Partisë Socialiste në Vlorë, se këtë vit në Shqipëri reforma në drejtësi ka treguar se “askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është më i paprekshëm".

Rama u shpreh ndër të tjera se ka rënë "miti i paprekshmërisë i politikanëve."

Ndërsa u ndal në ngjarjen e 21 janarit, Rama u shpreh se “drejtësia mund të vonojë edhe ca por nuk ka për t’u harruar”.

"Është provuar që reforma në drejtësi, që PS e dinte që kur ishte në opozitë dhe e coi përpara kur erdhi në qeveri jo vetëm që ka hapur një rrugë të re për vendin por ka dhënë provën më domethënëse, askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është më i paprekshëm në vendin tonë.

Kjo kërkon shumë durim. 21 Janari nuk ka ndodhur dje, ka ndodhur përpara shumë vitesh dhe të gjithë ne e dimë se sa e rëndë është që të vijë 21 janari tjetër, dhe tjetri, tjetri…. dhe ata që duhet të përgjigjen të vazhdojnë të përqeshin viktimat e 21 Janarit. Nga ana tjetër, askush nuk duhet ta harrojë, që në këtë sistem që kemi zgjedhur, drejtësinë nuk e bën as partia as qeveria, por drejtësia. Drejtësia për 21 janarin mund të vonojë edhe ca por nuk ka për t’u harruar", deklaroi Rama ndërsa shtoi se kush e ka lexuar vendimin Gjykatës së Strasburgut për 21 janarin ka parë që gjykata ka formuluar ekzaktësisht atë që ai ka thënë që në krye të herës.

"Po të shikosh gjykimin e Strasburgut ka thënë të njëjtën gjë që kemi thënë. Shyqyr që gjykata është në Strasburg që të mos thonë se dhe atë e ka kapur Rama siç thonë për çdo gjë që nuk u vjen për shtat. E vërteta është që ne nuk kemi kapur asgjë, qëndrojmë në anën parimore të kësaj historie, por u rrimë drejt atyre që kemi marrë përsipër", tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë