Politike

A u largua Rama i “zhgënjyer” nga darka në Bruksel?

Për kryeministrin Edi Rama gjëja më e rëndësishme pas darkës së punën me liderët e Ballkanit dhe Përfaqësuesin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, ishte kthimi në Tiranë.

Ndërkohë që opinioni publik priste me kërshëri detaje nga takimi, nga i cili priteshin përfundime të rëndësishme në lidhje me negociatat e integrimit, kreu i qeverisë shqiptare postoi një foto simbolike, ku u tregonte disa policëve në Bruksel rrugën për në Shqipëri, duke sinjalizuar kështu se ndoshta mund të kishte mbetur i pakënaqur nga darka informale.

Disa minuta pas mbylljes së takimit, Rama nuk dha informacione mbi atë çka u diskutua, por e përmblodhi takimin në rrjetet sociale një foto të veçantë, ku shihen disa policë mbi motor, në diçiturën ironike: "Rruga për Tiron o knej…".

Darka e punës ishte thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian Josep Borrell dhe ka bërë për herë të bashkë në një tavolinë kryeministrin Albin Kurti,  kryeministren serbe Ana Brnabiç, zotin Rama, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç dhe kryesuesi i radhës i presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës Millorad Dodik. Takimi pritej të përndrohej ndër të tjerat në gjetjen e një zgjidhjeve për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shkupin dhe Tiranën në kushtet që Bullgaria ka vënë veton ndaj Maqedonisë së Veriut.

Por në asnjë nga postimet e tij, Rama nuk e përmendi fjalën negociata dhe nuk dha asnjë sinjal nëse ka pasur apo jo vendime për mbajtjen e konferencës së parë në qershor. I pakënaqur duket të ketë mbetur edhe kryeministri Zaev, i cili ndodhet edhe sot në Bruksel në përpjekje për të bindur zyrtarët europianë të  mos ndajnë dy vendet dhe të lënë prapa në rrugën e zgjerimit Maqedoninë e Veriut. Ndryshe nga Rama ai u ndal gjatë tek negociatat, duke thënë se Maqedonia e Veriut e meritonte hapjen e tyre dhe se Europa duhet të mbajë fjalën.

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama ishte i pari që ka postuar në Facebook një album me foto nga pritja e Borrell dhe takimet me liderët e Ballkanit, por të gjitha postimet e tij ishin protokollare, duke treguar takimet që pati me zyrtarët në Bruksel por duke mos ofruar detaje nga bisedimet apo dhënë sinjale në lidhje me negociatat. Ndryshe nga liderët e tjerë të rajonit ai nuk mbajti një konferencë për mediat as para as pas takimit.

Disa ditë para darkës në Bruksel, Kryeministri Rama u përsëriti vendeve anëtare të Bashkimit Europian se sot Shqipëria nuk po kërkon anëtarësim në union, por meriton që të nisin bisedimet për këtë proces. Ai akuzon BE se po tregohet dritëshkurtër dhe hipokrite.

“Siç jemi sot nuk jemi gati për të hyrë në BE por jemi gati për të hapur negociatat. Këto qëndron kontradikta dhe Europa po tregohet dritëshkurtër dhe hipokrite. Shqipëria meriton të hyjë në rrugën e negociatave dhe pikë”, tha ai në një intervistë për Euronews.

“Shqiptarët nuk lodhen nga përpjekjet dhe lufta për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Sigurisht, zhgënjime ka pasur se Europa nuk ka mbajtur premtimet e saj”. Me këto fjalë, Kryeministri Edi Rama ripërsëriti besnikërinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve në anëtarësimin e plotë në BE.

“Ne i kemi bërë detyrat tona dhe do të vazhdojmë t’i bëjmë, sepse për ne është hera e parë në histori kur mund të zgjedhim. Nuk kemi pasur asnjëherë mundësi zgjedhjeve, por të tjerët vendosnin për ne”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama dhe Oliver Varhelyi

Gjatë takimit, fillimisht Rama takoi Përfaqësuesin special për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Në një shënim në mediat sociale, Lajçak thotë se e ka uruar kreun e qeverisë për fitoren në zgjedhje. Më tej ai shton se është diskutuar mbi zhvillimet e fundit rajonale dhe rolin e BE-së në Ballkanin Perëndimor

“Mirë, që u takova përsëri me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Unë e përgëzova atë për fitoren e tij të fundit në zgjedhje dhe diskutova mbi zhvillimet e fundit rajonale dhe rolin e BE-së në Ballkanin Perëndimor”, shkruan Lajçak.

Pjesë e takimit, ku u diskutua jo vetëm për pandeminë dhe problemet aktuale, por edhe integrimin ishte edhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi një bisedë “kokë më kokë” me Varhelyi por nuk ndau detaje nga këto bisedime. Ai që njoftoi për takimin dy palësh ishte zyrtari i lartë i Brukselit në një postim në Twitter ku shkroi se diskutimi ishte mjaft i rëndësishëm.

“Në darkë me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. Ky është një hap tjetër i rëndësishëm për ne që ta bëjmë këtë vit të jetë viti i Ballkanit Perëndimor. Josep Borrell ringjalli traditën e diskutimeve joformale me udhëheqësit rajonalë”, shkruan Varhelyi.

Sipas burimeve nga Ministria e Jashtme për Gazetën "Si" takimi pritej të përqendrohej te negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dakordësimi për një datë për mbajtjen e konferencës së parë ndër-qeveritare si dhe dialogu Kosovë-Serbi. Por pas takimit nuk ka pasur asnjë detaj të mëtejshëm. Komisioni Europian ka rekomanduar mbajtjen e kësaj konference për Shqipërinë, e cila do të bëjë të mundur hapjen de facto të kapitujve të anëtarësimit, në qershor, por Bullgaria ka vënë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, duke e bërë të pamundur mbajtjen e kësaj konferencë me Shkupin muajt e ardhshëm.

Deri më tani qeveria shqiptare ka hedhur poshtë zërat për ndarjen e dy vendeve, në solidaritet me vendin fqinj.

Sipas zëdhënësit të Komisionit Europian, Peter Stano, mbajtja e takimit ishte e rëndësishme sepse Borrell ka vlerësuar se nuk ka pasur takime të tilla mes zyrtarëve të lartë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe se është “një vazhdim i diskutimit që ministrat e jashtëm të BE-së e mbajtën javën e kaluar për rajonin, kur për zgjerimi në Ballkanin Perëndimor. Por duke u nisur nga mesazhi i zotit Rama, takimi duket se të mos i ketë përmbushur pritshëmritë e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë