Lajme

Rama do të pyesë studentët për pedagogët: Karta, brenda majit

Kryeministri Rama gjatë një aktiviteti me studentë foli sot për sondazhin kombëtar të studentëve ku studentët mund të adresojnë e të shprehen mbi cilësinë e mësimdhënies dhe problematika të tjera të brendshme të universitetit. Ky sondazh do të jetë i hapur deri më 2 maj.
Po ashtu kreu i qeverisë tha se qeveria është e angazhuar të plotësojë pikat e “Paktit për Universitetin”. Kryeministri Rama tha se pas protestës së studentëve ka një këmbëngulje në plotësimin e kërkesave të studentëve, por duhet të kihet parasysh se të ndërtosh një sistem arsimor cilësor nuk është një fjalë goje, por është një proces transformimi që do kohën e vet.
Rama ndau lajmin e shpërndarjes së kartës së studentit brenda muajit maj, në sajë të së cilës studentët do të përfitojnë një sërë shërbimesh.
“Angazhimet e marra në dokumentin e ‘Paktit për Universitetin’ janë angazhime që do të ndiqen me seriozitet nga Ministra e Arsimit dhe më pas nga qeveria. Sot jemi në kushtet kur një sërë aspektesh janë adresuar dhe të tjera do të adresohen. Karta e studentit që do fillojë të shpërndahet brenda muajit maj fillon me 40 shërbime, por do ketë edhe të tjera”, tha Rama.
Rama theksoi faktin se kur erdhi në pushtet, situata në universitete ishte situatë xhungle.
“Faktikisht ne jemi sot në situatën kur po vendosim disa piketa që Europa i ka vendosur kohë më parë, por dua ta theksoj se e kemi nisur këtë rrugë nga një situatë xhungle në universitete, ku jepeshin diploma pa vlerë”, tha ndër të tjera kryeministri.
Kryeministri vuri në pah se aktualisht në universitete korrupsioni është më i ulët në krahasim me vitet e shkuara.
Korrupsioni në universitet është më i ulët, në krahasim se si ishte. Sa i përket hyrjes në universitet korrupsioni është zero, nuk hyn dot në universitet pse ke lekë, apo miqësi”, theksoi kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë