Politike

Rama: Dita e alfabetit, të jetë festë kombëtare në Shqipëri dhe Kosovë siç kremton Maqedonia

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama tha ditën e sotme gjatë fjalës së tij në samitin e Diasporës se 22 nëntori që njihet si Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ashtu si në Maqedoni, të njihet si festë kombëtare edhe në Shqipëri.

Ai i kërkoi presidentes Vjosa Osmani, që këtë t’ja propozonte edhe kryeministrit Albin Kurti.

“Me një sugjerim shumë të arsyeshëm të presidentit, dua ta kornizoj këtë fjalë edhe në funksion të frymës së këtij samiti por edhe në funksion të asaj që ka rëndësi:  të jemi bashkë dhe të ndihmojmë njëri tjetrin.

 Është e çuditshme por prapë është forca e Arben Xhaferrit i cili nuk jeton më, por pati vizionin të kërkojë që Dita e Alfabetit të jetë një ditë e njohur si festë kombëtare për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Tani mendoj se është koha që kjo të jetë një ditë feste kombëtare edhe në Shqipëri dhe patjetër unë besoj se edhe presidentja e Kosovës t’ja japë këtë sugjerim kryeministrit të vetë. Unë e dëgjoj presidentin për veten time”- u shpreh Rama.

Ndërsa theksoi se nuk ka asgjë të paarritshme nëse shqiptarët bëhen bashkë, Rama risolli në vëmendje edhe kualifikimin e Shqipërisë për në Europian.

Ai u shpreh se “njëshat e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë e çuan futbollin në Europë”.

“Ky samit ndodh pak ditë pasi njishat e Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, së bashku në një skuadër jo vetëm e çuan Shqipërinë në Evropë, por dhe na ritreguan se çfarë mund të bëjmë ku bashkojmë talentet, forcat dhe mbi të gjitha kemi një strategji, për të fituar.

Së bashku, asnjë objektiv nuk është i paarritshëm, asnjë ëndërr nuk është e pamundur nëse jemi të vendosur për ta realizuar. Nëse ka një mësim të madh që të gjithë mund të marrim në të gjitha nivelet, nga të gjithë ata emrat që na bëjnë krenar sepse përmenden me shumë respekt në një botë shumë më të madhe, është mësimi që të gjithë ata kanë pasur një ëndërr shumë më të madhe se çfarë mundësit e tyre mund t’jua këshillonin dhe e kanë bërë realitet.

Mira Murati, Dua Lipa, Mira Mezini, Altoin Kadareja, Rita Ora, Ermonela Jaho, e me radhë, janë emra të cilët kanë rrugë të ndryshme dhe kanë arritur t’i shkojnë deri në fund ëndrrës së tyre”, deklaroi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë