Akuzat e Kryeministrit Edi Rama se një pjesë e prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk kanë kaluar ende vettingun po “luajnë keq”, megjithëse u bë në anglisht, tingëlloi shumë shqip. Gjatë një takimi me temë “Fund dhunës ndaj grave”, kreu i Qeverisë fajësoi sistemin e drejtësisë se nuk e ka trajtuar as seriozisht dhe as profesionalisht këtë fenomen në shoqërinë shqiptare.
Rama foli për prokurorë dhe gjyqtarë që janë të vetëdijshëm që nuk e kalojnë vettingun dhe sot nuk zbatojnë ligjin, por “luajnë që t’i kenë të gjitha”.
“Kemi një sërë prokurorësh e gjyqtarësh që e dinë se nuk mund ta kalojnë Vettingun. Ata po luajnë sikur është vakti i fundit, pra nuk po luajnë mirë dhe duan që t’i kenë të gjitha. Ky proces i kalbur i drejtësisë ka krijuar një zinxhir të gjatë ngjarjesh tragjike, presioni e dhune”, u shpreh ai.
Kryeministri nuk përmendi emra të veçantë prokurorësh apo gjyqtarësh, por kjo deklaratë pason deklaratat e javës së fundit të bëra prej tij dhe për zv.Kryeministri Erjon Braçe ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja. Ky i fundit ka dosjen në ngarkim të kreut të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës, Liridon Pula. Pula është në arrest me burg për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
Por, për Qeverinë i gjithë hetimi i nisur nga prokurori Ndoja është pjesë e një mekanizmi shantazhi ndaj drejtorit të ASHK-së, të cilit i është kërkuar që të legalizojë dhe regjistrojë disa ndërtesa shumëkatëshe për llogari të një grupi kriminal.
Si Rama, ashtu edhe Braçe e kanë akuzuar prokurorin se punon për llogari të bandave. Deklaratat e tyre pasuan reagimin e vakët të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që pa përmendur emra i cilësoi komentet e Kryeministrit dhe zv.Kryeministrit si ndërhyrje në punën e një prokurori. KLP ftoi “deklaruesit” që për çdo akuzë dhe dyshim ndaj një prokurori, t’i drejtohen Prokurorisë për Krimet e Rënda.
Ndërkohë, sa i takon dhunës ndaj grave, Kryeministri Edi Rama tha se brenda pak javësh Qeveria do të dalë me një propozim për ashpërsimin e ligjeve, ku kjo vepër penale të trajtohet si krim i rëndë. Rama tha gjithashtu se duhet të mendohet edhe për ngritjen e një sistemi, apo institucioni riedukues për burrat dhunues.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.