Politike

Rama dhe Zaev paralajmërojnë BE-në: Po na destabilizoni!

Pas shtyrjes për të dytin vi radhazi të hapjes së negociatave të anëtarësimit, Shkupi dhe Tirana zyrtare kanë paralajmëruar Bashkimin Europian se po e çon Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut drejt destabilizimit.

Duke folur për “Financial Times” kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev kanë paralajmëruar Brukselin se forcat nacionaliste do të forcohen ndjeshëm në të dyja vendet nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk marrin dritën e gjelbër për bisedimet e pranimit në BE deri në vjeshtë.

"Të dyja vendet kanë ndërmarrë reforma të mëdha për të përmbushur standardet e BE, por Franca dhe Holanda e shtynë fillimin e bisedimeve formale të anëtarësimit pavarësisht rekomandimit nga Komisioni Europian", shkruan Financial Times.

Sipas gazetës prestigjioze europiane, dy udhëheqësit kanë paralajmëruar ministrat e jashtëm të BE-së të mos ta shtynë sërish vendimin për negociatat e anëtarësimit në tetor.

"Ne nuk kemi nevojë për rikthimin e radikalizmit, nacionalizmit dhe populizmit në vendin tonë", tha Zaev dhe shtuar se nuk është shumë e rëndësishme nëse vendi i tij merr vendimin nga Këshilli Europian në qershor apo tetor, por se tetori, duhet të jetë data përfundimtare, sepse ka pasur shumë shtyrje.

Edi Rama

Kryeministri Rama deklaroi nga ana tjetër se edhe vetë BE-ja do të vuante pasoja të rënda nëse rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk integrohet plotësisht në unionin europian.

"Ballkani Perëndimor është si një organ i trupit të BE-së që po zvarritet dhe gjakoset. Nuk është e mundur që ta mbash për një kohë të gjatë në këtë mënyrë sepse mund të infektohet dhe mund të jetë i rrezikshëm për gjithë trupin ", deklaroi Rama për “Financial Times”

Ai theksoi se nëse vlerësimi pozitiv i Komisionit do të injorohej nga shtetet skeptike përsa i përket zgjerimit, rajoni do të destabilizohej edhe më tej

"Ne nuk kemi nevojë për gjëra të tjera të këqija për të kuptuar se çdo pengesë në këtë proces fuqizon nacionalizmin, fantazitë dhe nxit ëndrrat e dëmshme", shtoi Rama.

Sipas “Financial Times”, Maqedonia e Veriut, e cila shmangu një luftë civile në vitin 2001, u bë një histori e rrallë suksesi për rajonin vitin e kaluar kur i dha fund mosmarrëveshjes me Greqinë.

Duke komentuar marrëveshjen e Prespës, Zaev tha se publiku maqedonas është i varur nga progresi në BE dhe se refuzimi nga vendet anëtare do të forcojë thirrjet për të shfuqizuar marrëveshjen me Greqinë.

Zaev dukej shpresëplotë se vendi i tij do të merrte dritën jeshile në vjeshte, por gazeta britanike shkruan se në disa kryeqytete europiane ka më shumë skepticizëm rreth Shqipërisë për të filluar bisedimet zyrtare.

FT shkruan se hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut është komplikuar për shkak të Shqipërisë. Sipas saj, vendi ynë është më i papërgatitur për shkak të problemeve me krimin e organizuar dhe luftën kundër korrupsionit.

Zoran Zaev

“Shkupi përballet me komplikacione të mëtejshme për shkak të debatit brenda BE-së lidhur me mënyrën se si do ta mbanin Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të bashkuar në të njëjtën rrugë anëtarësimi. Tirana shihet gjerësisht nga diplomatët si më pak e përgatitur për bisedimet e pranimit për shkak të shqetësimeve rreth sundimit të ligjit, korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruan “Financial Times”

Ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov tha se do të donte të ndihmonte Shqipërinë por thekson se çdo vend do të gjykohej në meritat e veta. “Votuesit europianë janë skeptikë sepse ata po humbasin besimin se anëtarësimi do të mund të ndryshojë vendet kandidate,” tha ai. “Unë mendoj se ne duhet të jemi të rreptë në vlerësimin e vendeve, pa politizim”.

Duke folur pas vendimit për negociatat, ai tha Bashkimi Europian duhet të pranojë Shkupi ka treguar udhëheqje dhe kurajo, si dhe gatishmërinë për të marrë bashkëpunuar me shtetet e tjera anëtare të BE në zhvillimin e Evropës.

"Bashkimi Europian është ai që duhet të tregojë tanimë të njëjtën guxim. Ai duhet t’i japë një shans vendit tim duke miratuar hapjen e negociatave të pranimit. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Ne e meritojmë atë ", tha Dimitrov për “Le Monde”.

Dimitrov thotë se beteja e vetme që duhet të udhëheqë Maqedonia e Veriut është "beteja për gjeneratat e ardhshme dhe e drejta e tyre për të jetuar në një vend që ofron mundësi të barabarta si vendet europiane.

Sipas “FT”, Shumë diplomatë E pranojnë privatisht se Shkupi ka treguar vullnet për angazhime të mëdha.

“Shkupi ka marrë një kthesë për mirë duke thelluar reformat në fusha të tilla si lufta kundër korrupsionit, duke krijuar një argument të fortë për bisedimet e pranimit”, thonë ata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë