Lajme

Rama citon aktoren Drita Haxhiraj: Të bëhet teatër i ri

Kryeministri Edi Rama vijon me reagimet për çështjen e Teatrit Kombëtar.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Rama shprehet se godina aktuale është një gërmadhë që vetëm emrin ka teatër.
Kreu i qeverisë ka publikuar një postim të aktores së njohur Drita Haxhiraj, që sipas tij është në një mendim me të për shembjen e Teatrit aktual dhe ndërtimit të një teatri të ri.
“Aktorja e njohur Drita Haxhiraj, është ngjitur një jetë të tërë në skenën e Teatrit Kombëtar. Ajo bën pjesë te shumica e komunitetit teatror që kërkon ndërtimin e një Teatrit të Ri Kombëtar në vend të kapanonit të ushtrisë italiane, i cili u kthye në teatër gjatë komunizmit dhe mbeti një karakatinë gjithnjë e më jodinjitoze, deri sot e gjithë ditën. Një gërmadhe që vetëm emrin ka teatër, e që as në ditët e veta më të mira nuk e ka lehtësuar, po e ka vështirësuar dhe dëmtuar aktivitetin artistik me kushtet e veta mizerabël, me hapësirat krejt të papërshtatshme për një teatër normal (lëre pastaj KOMBËTAR), me mungesën e mjediseve për aktorët e me radhë”, shkruan kryeministri Rama.
“Në atë godinë ruajmë kujtime të hidhura edhe të ëmbla. Godina është shumë e shtrenjtë për ne, është “Jerusalemi ynë”, siç ka thënë edhe Robert Ndrenika. Por duhet t’ju them se gjendja e saj fizike është e rëndë. Kur ne futeshim poshtë skenës për të kaluar në anën tjetër, atje kishte lagështirë dhe myk. Aty janë sëmurur shumë aktorë. Në vitet 1972-’73, Naim Frashëri, Violeta Manushi, Sulejman Pitarka diskutonin për të bërë një teatër të ri, sepse të gjithë po sëmureshin nga mushkëritë. Pjetër Gjoka u sëmur nga mushkëritë. Për mos t’ju thënë edhe të fundit, që për shkak të mushkërive është ndarë nga jeta kolegu dhe partneri që nga fëmijëria, Roland Trebicka. Vetë ata që e krijuan e ngritën si problem se duhet një teatër i ri. Ata donin vendin, territorin, por jo muret. Ky është amaneti i tyre! Ne jemi me ta, që teatri të bëhet i ri dhe modern, jo për të kaluar radhën apo për të përfituar ndonjë tjetër. Të jetë aty ku është, të ndërtohet bukur edhe t’u vlejë brezave të ardhshëm”, shprehej aktorja Drita Haxhiraj.

https://www.facebook.com/edirama.al/photos/a.10151850199621523/10156861026186523/?type=3&theater

Kryeministri e ka vijuar edhe pasdite fushatën kundër godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar. Përmes një postimi në rrjetin Facebook, Rama ka postuar një video të një interviste të hershme të Jusuf Vrionit. "Ja se sa thjeshtë e çmonton tërë marrëzinë monumentale mbi “vlerat arkitekturore” të ngrehinës së Teatrit Kombëtar, njëri ndër shqiptarët më të sojmë dhe më të ditur; shqiptari erudit që shkëlqeu salloneve mondane të Francës e të Italisë së paraluftës dhe u dergj burgjeve komuniste të pasluftës; ai që siç thoshte Gianni Agnelli “e flet italishten më mirë se unë” dhe që e bëri Kadarenë të lexohet në një frëngjishte mahnitëse për vetë francezët, i paharruari Jusuf Vrioni" shkruan Rama ne FB. Në intervistë, Vrioni fliste për shëmbjen e vilës së vajzës së Benito Musolinit, Eda Cianos, e cila ishte ndërtuar me të njëjtin material si edhe godina e Teatrit Kombëtar, për të cilën Vrioni thoshte se edhe kjo duhej rrëzuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë