Politike

Rama-Basha, përplasje për “Metropolin” dhe kinematë

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në foltoren e parlamentit këtë të enjte, u shpreh se Partia Demokratike po bën një përpjekje hipokrite për të mbrojtur Teatrin.  Ai tha se kur opozita ishte në pushtet ka kërkuar të privatizojë Teatrin e Metropolit. Në vitin 2013 kryetari i PD-së, Lulzim Basha, atë kohë në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, firmosi privatizimin e godinës së Teatrit "Metropol", me qëllim që atë ndërtesë t’ia jepte deputetit të PD-së për interesa të tij. 

“Kam një shkresë, të cilën Florian Mima, ministër i Ekonomisë ia dërgon Lulzim Bashës, kryetar i bashkisë e çfarë i kërkon. I kërkon privatizimin e Teatrit të Metropolit, në kllapa shënon Floriani, Teatri i Estradës për llogari të deputetit Astrit Veliaj. I vetmi aset kombëtar në dispozicion të Bashkisë së Tiranës i transformuar nga një kafene e degraduar në një teatër të Metropolit para se Basha të shkonte në bashki çohet për privatizim jo për PPP, as për të ndërtuar një teatër të ri të Metropoli në këmbim të kontributit të zotit Veliaj dhe në funksion dhe të një përfitimi legjitim të zotit Veliaj, pasi nuk do të investonte për teatrin e ri, por për t’u privatizuar për pallat”, deklaroi kryeministri Rama.

Kryedemokrati Basha iu përgjigj në një postim në “Twitter” akuzave të Ramës. Ai tha se Teatri i Metropolit është aty, kurse kinematë i prishi Rama.

“Kryehajduti kërkon skutave për shkresa të pavlera. Teatri i Metropolit është aty! Kinema ‘17 Nëntorin’, Kinema ‘Republikën’, kinema Partizanin, kinema ‘Ali Demin’, i ka shkatërruar Rama dhe ka ndërtuar pallate”, shkruan Basha.

Sa i përket “parlamentit” të opozitës në qytetin bregdetar të Vlorës dhe akuzave të njëpasnjëshme të Bashës, kryeministri është shprehur se kriminaliteti në Vlorë ka rënë.

“Shumë shkurt dua të sjell në vëmendje një shembull kuptimplotë të asaj që është dyfytyrësia e përditshme e atyre që sot mungojnë këtu edhe pse teatrin e kishin lançuar si kalin e tyre të betejës. Mungojnë sepse kanë shkuar në Vlorë për të dëshmuar se si po digjet Vlora. Koha shumë shpejt do të na japë provën nëse Vlora po digjet apo nëse Vlora po ecën në rrugën e Rilindjes së saj të pakthyeshme. Mjafton të kemi durimin e të presim edhe muajt që na ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme. Ndërkohë që për këdo ka ngenë të ndjekë shifrat dhe ta bazojë gjykimin në fakte, mjafton të shohë se si ishte situata e kriminalitetit në Vlorë vetëm 5 vite më parë me shifra dhe si është sot. Nata me ditën. Sigurisht që nuk është një ditë me diell ka ende shumë për të bërë por është ditë nuk është më natë”, u shpreh ndër të tjera kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë