Politike

Rama akuzon PD për tradhti: Kampet e refugjatëve, lajm i rremë

Nga mazhoranca me gjysmëzëri kishin mohuar deri më tani ngritjen e kampeve për 600 mijë refugjatë sirianë në Shqipëri në këmbim të hapjes së negociatave, ndërsa vetë Kryeministri Edi Rama nuk i kishte komentuar këto lajme.

Por, këtë të premte, përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, shefi i Qeverisë mohoi gjithçka dhe akuzon opozitën dhe mediat për një fushatë lajmi të rremë, që sipas tij ka nisur shumë më herët.

“Qyshse Komisioni Europian rekomandoi pa kushte çeljen e negociatave me Shqipërinë, tërbimi epidemik i lajmit të rremë ka njohur një përshkallëzim intensiv dhe të trekahshëm. Lajme të rreme për konsum të brendshëm, për eksport dhe për import. Gënje këtu, ik gënje jashtë shtetit, kthehu gënje me gënjeshtra të bëra andej e të sjella këtej. PD-ja e ka kthyer tanimë lajmin e rremë në vizion, mision, program dhe qëllim të ekzistencës së vet, madje duke mos u mjaftuar më me prodhimin e riprodhimin e lajmit të rremë thjesht me gojë, po duke u hedhur në veprim për ta krijuar lajmin e rremë me inskenime perverse. Babalja ishte një prodhim kuptimplotë i kësaj industrie të re të mashtrimit publik”, shkruan Rama në Facebook.

Kryeministri akuzon opozitën për tradhti.

“Në vend se në gjuhë të huaj ta mbronim me një zë Shqipërinë, jemi ndarë në një palë që mbron interesin strategjik të Shqipërisë për çeljen e negociatave dhe një palë tjetër, e cila i punon qindin Shqipërisë duke i’a vjellë në vesh tërë të zezat e mendjes, çdo deputeti europian që nuk i do negociatat me Shqipërinë, por asgjë nuk e shlyen dot nga ky proces turpin e esadistëve të rinj të Shqipërisë, të cilët kanë hapur thesin e farës së keqe e po përpiqen të mbjellin e rrisin së fundi lajmin e rremë të 600 mijë sirianëve të ISIS-it që do të mësyjnë në Shqipëri, në këmbim të çeljes së negociatave”, shkruan Rama.

Pasi mohon prerazi se vendi ynë nuk ka asnjë plan, ide dhe as kapacitete për të strehuar 600 mijë refujatë, ai zbulon edhe nga mori shkas ky lajm.

“E vërteta është se as teorikisht e jo me praktikisht, nuk ekzistojnë në asnjë pikë të planetit, jo 600 mijë ushtarë të ISIS-it, që presin avionët për t’u nisur për në Shqipëri, po as 600 mijë refugjatë të zakonshëm që mund të mblidhen e të spostohen si të ishin robër lufte, drejt një vendi të vetëm, lëre pastaj drejt një vendi të vogël sa Shqipëria! Po pse 600 mijë dhe jo 500 mijë apo fundja pse jo 1 milionë? Sepse në një intervistë për një kanal gjerman, zv.ministri ynë i brendshëm, tha thjesht: “Shqipëria ka strehuar 600 mijë refugjatë lufte nga Kosova” dhe hopa(!), ja ku doli shifra e pazarit të madh në këmbim të negociatave! E gjeti gurin budallai dhe e hodhi në lumë, duke turrur zhyt 100 të mençur për ta nxjerrë dhe tërhequr vëmendjen e tërë dynjasë, mbi një budallallëk me brirët si të kaprollit”, vijon më tej.

Në fund, Rama ngre një pyetje, që u adresohet qytetarëve.

“Mirë këta njerëz pa fe e as atdhe, që janë gati t’i hedhin në fytyrë të tilla bomba tymuese e helmuese qytetarëve të këtij vendi, po si ka mundësi që ka akoma njerëz në këtë vend që u besojnë këtyre të dëshpëruarve, të cilët po bëjnë çmos ta shqyejnë Shqipërinë në sytë e të huajve, ndërkohë që e shqyejnë përditë në sytë e shqiptarëve çdo normë, çdo vlerë, çdo parim e çdo shenjë dalluese mes njeriut dhe çakallit?! Lum Esad Pashë Toptani që pas 100 vjetësh vetmie të hidhur në varr, nuk është më pa pasardhës!”, mbyll reagimin e tij kreu i Qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë