Politike

Rama: 50 mijë anëtarë të rinj deri në qershor, jemi të pakonkurueshëm, askush përveç vetvetes nuk na pengon dot

Kryesocialisti Edi Rama, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, foli për shumëcka lidhur me procesin e ri-organizimit të strukturave në PS e deri tek marrëveshja e fundit me PD-në e Rithemelimit dhe debatit për investimin e dhëndrrit të Donald Trump në zonat më të lakmuara të Jugut.

“Sot në regjistrin digjital të anëtarësisë socialiste numërohen plot 29 mijë, 225 anëtarësime të reja. Duam 50 mijë anëtarë të rinj deri në qershorin e këtij viti.

Dmth edhe 20 mijë e pak që u shtohen këtyre që janë shtuar deri tani. E keni vënë re se sa me shumë lehtësi janë tejkaluar objektivat, pasi skemi pritur që njerëzit të vijnë te ne por kemi shkuar ne te ata. Do të rishikojmë përbërjen  çdo organizate socialiste. Burra e gra të çdo moshe, sa më përfaqësuar të jetë zona aq më e fortë do të jetë lidhja e PS-së me atë zonë'  tha Rama.

Ai komentoi edhe kthimin në normalitet të Kuvendit.

‘Më vjen mirë që Kuvendi nuk do jetë më çmendina e muajve të fundit. Mbase rikthimi i fjalës do të riktheje hapësirat për të komunikuar. Shumica jonë kuvendorë duhet të vendosë një draft rezolutë për sfidat në anëtarësimit në BE dhe reformat e masave të mëtejshme që Shqipëria duhet të marrë pa humbur kohë. Bisedimet për anëtarësim nuk janë thjeshtë të qeverisë por të të trejave institucioneve në Shqipëri. Zhvillimi i fundit për rikthimin e parlamentit në normalitet, duhet të shkojë në drejtimin e duhur për Shqipërinë në përballjen e saj si shtet me sfida kombëtare të procesit të anëtarësimit” tha Rama.

Kryeministri Edi Rama i ka quajtur broçkulla, akuzat e kryetarit të PD-së Lulzim Basha, se PS, po bën ‘Pazar me non gratën’, Sali Berishën.

‘ Të gjitha janë broçkulla, që tregojnë se sa të vështirë e ka një pjesë e bashkësisë sonë shqiptare, e yshtur nga ata që dëgjon dhe ndjek në politikë, në media a në mexhelisin e rrjeteve sociale, të kuptojë ose të pranojë se Partia Socialiste e kësaj gjenerate, po shkruan një kapitull të ri në historinë e marrëdhënieve të pushtetit politik me drejtësinë. Me vetëdije të plotë, me patriotizëm të vërtetë dhe me sensin më të lartë të përgjegjësisë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Eshtë shumë tmerrsisht e thjeshtë për t’u kuptuar: Nëse ne nuk do të donim një drejtësi me duart e lira nga prangat 100 e kusur vjeçare të pushtetit ekzekutiv, i kishim bërë të tëra pazaret e nevojshme për ta penguar ardhjen e kësaj kohe, kur për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, hetohen, gjykohen, dënohen individë të niveleve më të larta të pushtetit politik. Thonë disa që e bënë amerikanët, s’e bëmë ne, po amerikanët këtu ishin edhe përpara, aty janë edhe në vende të tjera të Natos apo pro Natos në rajon.  ...U pa pastaj qartë, që s’kishte asnjë pazar, asnjë marrëveshje mes askujt për asgjë, përveç ripranimit të marrëveshjes së shkruar në Kushtetutë nga ata që u përpoqën ta marrin parlamentin peng, duke humbur logjikën në kërkim të së pamundurës. 

Ajo marrëveshje thotë se shumica qeveris dhe pakica bën opozitë, me të drejta e detyra të përcaktuara në ligjet dhe në zakonet demokratike dhe  historia e këtyre dhjetë viteve e gjysëm, përfshirë edhe të ashtuquajturin aksion opozitar të muajve të fundit, me kërcënime muskulore e me flakadanë, duhet t’i mësojë njëherë e mirë të gjithë, se çfarë s’ia merr dot me zgjedhje të lira, Partisë Socialiste s’ia merr dot me asnjë formë abuzimi të lirisë. 

Kundërshtarët politikë, as nuk i zgjedhim ne, as nuk i ndryshojmë dot ne, ne kemi në dorë vetëm t’u respektojmë të drejtat që u jep Kushtetuta e ligji, prandaj ato dy komisione hetimore që u ra dakord të votohen brenda kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, mund t’i kishim votuar qëkur, nëse nuk do të ishin kërkuar qorrazi jashtë asaj kornize".  

Dhe nje mesazh per PS:

"Objektivave strategjikë duhet t’u vihet në shërbim, me përkushtim e këmbëngulje, Partia Socialiste me hapjen e pandërprerë të saj, përtej kufijve të vjetër partiakë në çdo territor, duke krijuar kushtet e mekanizma për të përfshirë në gjirin e saj çdo shqiptar e shqiptare, të çdo moshe e të kaluare partiake, në çdo qytet e fshat, të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi që ka dëshirë ta shohin Shqipërinë krenarinë e fëmijëve të tyre.

Shembujt kuptimplotë të Shkodrës e të Kamzës, ku Partia Socialiste mori përkrahjen e mbi 60% të zgjedhësve, duhet të na shërbejnë si frymëzim e si motivim, për të kuptuar se njerëzit e zakonshëm të këtij vendi sot janë shumë më të hapur se sa dje, kur duhet të zgjedhin mes mundësive të qarta të progresit dhe llogores së vjetër partiake. Shkodra, Kamza e të tjera realitete të damkosura me vite të pafundme si zona të ndaluara për ta hedhur vallen, duke lëvizur majtas, duhet të na mësojnë shumë gjëra, po mbi të gjitha duhet të na ngulisin mirë në kokë, se kur ne socialistët dimë të shkrijmë në një gjë, aftësinë drejtuese me njerzillëkun në komunikimin me qytetarët, socialistë e demokratë pa dallim, nuk jemi thjesht fitues. Ne jemi të pakonkurueshëm. 

Asgjë dhe askush përveç vetvetes nuk na pengon dot ne t’i fitojmë jo zgjedhjet e reja dhe atyre pas atyre, por të fitojmë sfidat e reja për Shqipërinë se për to na duhet të fitojmë dhe zgjedhjet".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë