Futboll

Ralf Rangnik merr në dorë çelsat e Milanit, një rol i ri për Maldinin

Tashmë është punë e kryer, edhe pse mungon zyrtarizimi. Milani hap një faqe të re me synimin e rilindjes. Administratori Ivan Gazidis ia ka besuar Milanin gjermanit Ralf Rangnik për tre vitet e ardhshme. Vendimi është marrë dhe kjo zgjedhje i është bërë e ditur Paolo Maldinit.

Rangnik do të jetë trajneri i kuqezinjve dhe më shumë se kaq. Ndoshta sezonin e parë mund të mbajë vetëm rolin e drejtorit teknik, por më shumë mundësi ka që të ulet menjëherë në stol, pavarësisht punës së bërë nga Pioli. Një mrekulli europiane mund të bënte që trajnerit aktual t’i propozohej rinovimi, por a do të pranonte ai të bashkëjetonte me Ralf Rangnik? Një rol i ri pritet t’i propozohet edhe Paolo Maldinit, nëse vendos të qëndrojë.

Stefano Pioli po e drejton me siguri “anijen” kuqezi drejt Ligës së Europës, por Ivan Gazidis po i lëviz mekanizmat që do sjellin ndryshimin e madh në stafin kuqezi. Javën e kaluar ai i ka komunikuar Maldinit ardhjen e supervizorit të sektorit teknik të Redbull-it, i cili do të jetë fuqiplotë. Lajmi është përhapur para një tjetër ndeshjeje të rëndësishme, asaj me Juventusin, sikur skuadra të jetonte në një kohë tjetër. Vullneti i të gjithëve është që Milani të kthehet në Europë.

Prej muajsh është folur për ardhjen e “Profesorit”, i cili do të firmosë një kontratë 3-vjeçare. Sezonin e ardhshëm pritet të ulet në stol, përveçse do të bëjë edhe merkaton. Një lidership siç e kërkojnë pronarët e klubit kuqezi. Në këtë fazë është e rëndësishme të përcaktohet pozicioni i Paolo Maldinit, që e nisi sezonin duke ndarë përgjegjësitë teknike me Zvonimir Bobanin. Gazidis mendon t’i besojë një detyrë “alla Nedved”. Nëse është e nevojshme, mund të jetë edhe zëvendëspresident, por me detyra më shumë institucionale se operative.

Gazidis dhe Maldini. Gazeta Si, 7 korrik 2020

Kjo zgjidhje ka pëlqimin e menaxherit gjerman, por ndoshta jo atë të ish-kapitenit të Milanit, i cili për disa vite qëndroi jashtë futbollit pikërisht për të evituar të qenit thjesht ambasador për klubin ku ka kaluar gjithë jetën. Maldini ka kërkuar të reflektojë, por nuk është dukur entuziast dhe nuk përjashtohet mundësia e largimit të tij mes polemikash.

Nga polemikat është shoqëruar edhe lajmi i një tratative që tashmë është drejt zyrtarizimit. Në rrjetet sociale u fol për një takim mes Rangnik dhe Maldinit, që më pas u përgënjeshtrua. Maldini nuk i ka pëlqyer disa deklarata të Rangnik, i cili kohët e fundit ka zgjedhur të qëndrojë në heshtje. Edhe Maldini i ka shmangur komentet kohët e fundit, ndërsa Rangnik ka rënë dakord me Gazidis për të pasur pjesë të stafit gjermanin Almstadt dhe francezin Monkada. Mbetet për t’u vlerësuar pozicioni i Riki Masaras, drejtorit aktual sportiv të Milanit. Rangnik do të ketë të paktën 8 bashkëpunëtorë dhe mozaiku nuk është kompletuar. Gjermani nuk ka dhënë ende dorëheqjen nga Redbull-i. Nga ana tjetër, Milani pret të shohë çfarë do të bëjë skuadra e drejtuar nga Pioli për ta bërë zyrtare nisjen e ciklit të ri.

Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përktheu: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë