Treg

Raiffesen Bank tërhiqet nga komisionet shtesë që do të paguanin klientët

Klientët e bankës së nivelit të dytë Raiffesien Bank nuk do të paguajnë komisione shtesë për veprimet që do të kryejnë në sportelet e kësaj banke duke nisur nga data dy shtator siç kjo bankë kishte njoftuar.

Banka në fjalë u ka bërë një njoftim të dytë klientëve të saj ditën e sotme përmes një mesazhi telefonik.

“Ju informojmë se ndryshimet në komisione njoftuar për tu aplikuar nga 02 Shtator 2019, nuk do të zbatohen. Raiffeisen Bank ju falenderon për mirëkuptimin.”- shkruan banka në mesazh drejtuar klinetëve.

Raiffeisen Bank, do të njoftonte një muaj më parë se në muajin shtator do të rriste tarifat e komisionit për çdo veprim që do të kryhej në sportelet e saj.

Rritja do të ishte shumë herë më e lartë se ajo aktuale dhe sipas njoftimit me e-mail, apo sms në telefon, Banka do të njoftonte se për çdo veprim të kryer në sportel komisioni do të jetë minimumi 150 lekë, deri në 1500 lekë të reja.

Që prej ditës, kur është bërë ky njoftim, në filialet e bankave ka pasur njerëz që shprehnin pakënaqësi ndaj punonjësve, megjithëse përgjigjja e marrë ka qenë “se nuk varej nga punonjëist, të cilët do të paguanin po ashtu të njëjtat tarifa sepse është vendim i bankës”

Komisionet parashikoheshi edhe për depozitimin e parave në bankë, gjë që aktualisht nuk ndodh.

Më datën 7 gusht guvernatori Sejko gjatë konferencës për shtyp të radhës kur u pyet për këtë çështje, u shpreh se nuk ishte në dijeni për rastin konkret, por “ne jemi në treg të lirë, nëse bankat respektojnë kushtet e kontratës dhe kriteret e transparencës, mund të rrisin komisionet, por ajo nuk do të ishte konkurrente. Ne nuk ndërhyjmë direkt. Ne kemi ndërmarrë një inspektim nëpër banka. Ne kemi ndërruar dy ligje, një draftligj ka përfunduar dhe do të kalojë në parlament, për shërbimin e pagesave, do të ndikojë në uljen e kostove për agjentët ekonomik privat dhe individët gjithashtu. Në të njëjtën kohë janë tre inisiativa për të moderrnizuar sistemin e pagesave për të ulur kostot; sistemi i pagesave të brendshme në euro, impelemntimi i një platforme kombëtare për pagesat me kartë dhe celularë dhe një platformë kombëtare për procesimin e pagesave në kohë reale për pagesat ndërkombëtare. Kjo do të ulë kostot në afatshkurtër dhe afatmesëm.”

Banka e Shqipërisë nuk ka informuar nëse ka ndërhyrë tek Banka Raiffeisen për anullimin e vendimit në lidhje me komisionet shtesë, por vetë banka e nivelit të dytë ka vendosur ta anulojë vendimin e marrë gati një muaj më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë