Politike

RAI 3 “tërheq” nga transmetimi pjesën e dytë të reportazhit mbi emigrantët që shkaktoi debat. Pritet intervista e Ramës?

Pas ndërhyrjes së rëndësishme të kryeministrit shqiptar Edi Rama, por edhe mbështetjes së homologes së tij italiane Giorgia Meloni, RAI 3 nuk ka transmetuar pjesën e dytë të një reportazhi për marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët, reportazh që ngjalli reagime të forta për akuzat që hidhte mbi qeverinë shqiptare. Ndonëse u paralajmërua gjatë gjithë javës, se të dielën do të transmetohej vazhdimi i reportazhit, emisioni “Report” ka vazhduar me tema të tjera dhe nuk ka pasur një reagim se përse ai nuk u transmetua.

Në fakt postime për pjesën e dytë ka pasur gjatë gjithë javës në rrjetet sociale të RAI-t dhe autorit të emisionit “Report”, Sigfrido Ranucci, të dielën në mbrëmje. Por mediat italiane aludojnë se pjesa e dytë mund të jetë “tërhequr” nga transmetimi pasi gazetarët italianë po presin një intervistë me kryeministri Edi Rama.

Emisioni “Report” në RAI 3 prej një jave ka shkaktuar debate të ashpra në politikën shqiptare dhe në italiane, dhe madje kryeministri Rama i ka konsideruar të pavërteta gjetjet e tij dhe për këtë arsye ka kërkuar një përballje me drejtuesin e emisionit për të thënë "të vërtetat e tij", duke telefonuar dhe drejtorin e Rai-t gjë që është konsideruar dhe ndërhyrje.

Në mbrojtje të Ramës, një ditë më parë ka dalë dhe kryeministrja Giorgia Meloni, e cila gjatë një tubimi në Pescara, u shpreh se kryeministri i Shqipërisë po sulmohet për të vetmen arsye sepse po ndihmon Italinë. Ajo ftoi të pranishmit që të dërgonin një mesazh falënderimit në drejtim të kreu të qeverisë shqiptare.

Më herët, gjatë javës, kryeministri Rama refuzoi dhe një interpelancë të kërkuar nga opozita për këtë çështje, duke shtuar se nuk ka urgjencë pasi sipas tij gjërat në fillimi duhet të sqarohen në italisht, aty ku nisi dhe debati dhe më pas në Shqipëri. /A2CNN


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë