Vende dhe Udhetime

Rabdishti, një ‘Gjirokastër’ e vogël e fshehur në malet e Dibrës

Fshati Rabdisht është një ndër 100 fshatrat turistikë të Shqipërisë. I shtrirë në Dibër, ai është ndërtuar i gjithi me gur nga vetë banorët e tij, duke përfaqësuar një model arkitekturor të veçantë.

Nga Megi Iskurti - Në verilindje, 6 kilometër larg qytetit të Peshkopisë dhe më këtej kufirit të tokës maqedonase shtrihet Rabdishti, një fshat befasisht i bukur i ndërtuar i gjithi në gur i cili ngahera ka ditur të sfidojë jo vetëm shpatet shkëmbore por edhe historinë e trishtë të së kaluarës duke u kthyer në një nga 100 fshatrat turistikë.

Veriu i Shqipërisë është shquar gjithnjë për fshatrat kryelartë të legjendave e pamjet e papërsëritshme piktoreske dhe Rabdishti është një ndër të shumtët fshatra karakteristikë shqiptarë që ruan hijeshinë e traditës, me arkitekturën e veçantë të banesave që jo pak herë u ka kyçur gojën edhe arkitektëve.

Gjëja e parë që të ndërmendet kur merr udhën dhe e viziton është forca dhe këmbëngulja me të cilën shqiptarët e zonave të thella kanë ndërtuar vepra arti thuajse në mes të hiçit, aty mes malesh, teksa syrit nuk ka se si t’i shpëtojnë sokaqet e ngushta me kalldrëm që të ftojnë t’i vizitosh rrugicë për rrugicë, dyert e mëdha prej druri dhe shtëpitë e gurit të mbuluara me rrasa, me stil pak oriental, të mbështetura mbi kodrina.

Çdo rrugicë e tij duket sikur të flet pa zë për kujtimet e ethshme të historisë që evokon e që tashmë duket se janë lënë pas nga përpjekja e gjatë e banorëve për ta shndërruar atë në një fshat të vogël turistik.

Rabdishti është një ndër fshatrat e tjerë të shumtë të Dibrës që nuk ka mundur t’i shpëtojë terrorit dhe gjenocidit të masakrave serbe por është një ndër të paktët që pas rindërtimit nuk është braktisur kurrë.

Një fshat me popullsi në rritje ku banorët ende bëjnë krushqi me njëri-tjetrin.

Në vitin 1918 serbët mësynë në Rabdisht për të bërë një nga masakrat më të mëdha të asaj kohe e cila ngjalli dhe nevojën për rindërtim thuajse total.

 “75 djem të fshatit, kryesisht të rinj, u morën dhe u lidhën në qendër të tij dhe u masakruan njëri pas tjetrit në sytë e nënave të tyre. Më pas serbët dogjën fshatin me fëmijë e të moshuar, duke djegur, vrarë e plaçkitur.”-tregon Sabri Shahini që ka krijuar bujtinën e tij dhe sot shquhet për mikpritjen e turistëve nga çdo cep i botës.

Banorët e kësaj ane, prej malësorëve të veriut me sytë që u shndrisin dhe me duart e ashpra, kanë trashëguar me siguri dhe me shumicë gjakun që u jep të drejtën të shikojnë lirisht në sy kudo, duke mos i mbetur kujt mbrapa në të qenurit kryelartë, por jo pakherë kjo ka qenë e mjaftueshme përballë krimeve dhe masakrave të tilla.

“Rabdishtasit janë mjeshtër të mëdhenj të gurit dhe me shkathtësinë e aftësinë e tyre rindërtuan fshatin ku çdo rrugicë e shtëpi është ndërtuar prej tij.”-shton me tej Sabriu teksa flet për fshatin si një mirazh i arkitekturës.

Si u kthye Rabdishti në një fshat turistik?

“Vendi ynë filloi të vizitohej shumë nga turistë të huaj dhe vendas dhe kjo më bëri që para katër vitesh të ndërtoj bujtinën time. Kishin dëgjuar për historinë e tij dhe intrigoheshin nga arkitektura.

Unë vij nga një familje e madhe patriarkale që e ka mbajtur derën hapur për miqtë natën edhe ditën, në çdo stinë. Fshati ynë ka resurse të mëdha dhe potencial për turizëm. Natyra na detyron që ta shfrytëzojmë për qëllime të tilla. Rabdishti ndodhet në majë të Luginës së Shërimit, fillon me llixhat apo ujrat termale në Peshkopi dhe vijon më lart me ujrat e ftohta,”-rrëfen më tej Sabriu.

 Në bujtinën e tij ka ushqim tradicional dibran, nga të gjitha varietetet e mundshme që duket se turistëve u pëlqejnë shumë.

“Sigurisht që në një fshat ku tradita është ajo që na mban gjallë, do shërbejmë ushqim tradicional, gjëra bio të zonës. Pulë më jufka, byrek,komposto të të gjitha frutave dhe ushqime të kësaj natyre. Turistët i pëlqejnë shumë, si të huajt ashtu edhe turistët shqiptarë që vijnë nga qytete të ndryshme. Me gatimin merret bashkëshortja.”

Ai rrëfen se interesi i turistëve sa vjen dhe është gjithnjë në rritje sidomos kohët e fundit ku grupe të ndryshme organizohen për të bërë ecje në vargmalin Deshat-Korab,pjesë e të cilit është edhe Rabdishti.

“Fshati ka të gjithë elementet për të qenë turistik, ka histori, ka traditë, ka arkitekturë të veçantë dhe mbi të gjitha ka mikpritje. Secili nga banorët të hap derën dhe të pret siç është më e mira. Rabdishti ka rreth 110 shtëpi dhe afro 600 banorë të cilët merren kryesisht me bujqësi e cila është pjesa kryesore e ekonomisë së fshatit, e specializuar në patate, lloje të ndryshme arrash, mollë, fruta pylli dhe bimë medicinale. Së fundmi sigurisht që po angazhohen dhe në turizëm.”

Turistët që e kanë vizituar më shumë vitet e fundit janë nga Çekia, Polonia dhe Gjermania të cilët informohen për të tek Zyra e Informacionit Turistik në qytetin e Peshkopisë.

Kohët e fundit ka një tendencë edhe nga bashkëfshatarë të Sabriut për të kthyer shtëpitë e tyre në bujtina. Disa prej tyre kanë lënë shtetet europiane ku kanë jetuar dhe po rikthehen për të kontribuar në fshatin e tyre, aty ku ka do kohë që turizmi është bërë fjalë kyçe.

Turizmi po u jep zë e jetë edhe fshatrave më të largët siç është Rabdishti, një kryevepër dibrane e gdhendur në gur ku mikpritja është aq e ngrohtë sa zor se të bëhet të marrësh udhën e ikjes.

E teksa e merr këtë udhë, ti lë pas një fshat që frymon mes malesh, aty ku çatitë e gurta hedhin valle me njëra – tjetrën, ndërsa shtëpitë karakteristike përqafohen përreth mikpritjes që qëndron e ulur këmbëkryq mbi Rabdishtin e traditave të vjetra dhe risive të reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë