Vende dhe Udhetime

Qyteza që frymëzoi ‘Frozen’, vuan nga mbipopullimi i turistëve

Kur e gjithë bota e turizmit punon për të rritur numrin e turistëve përkatës, komuniteti i vogël i Hallstatt rrezikon të ‘’mbytet’’ nga numri i lartë i turistëve. Kjo qytezë ndodhet në bashkinë e Gmunden në Austri, rreth një orë në juglindje të Salzburgut. Qyteza Hallstatt, me shtëpi si kutiza të vogla dhe e mbuluar nga bora, thuhet se ka shërbyer si një model për mbretërinë Arendelle,  tek filmi i Disney "Mbreteresha e Deborës" (FROZEN)

Mbretëria Arendelle, "Mbreteresha e Deborës" (FROZEN)

Kjo qytezë me një pamje të mrekullueshme,që  shtrihet midis Liqenit Hallstatt dhe masivit malor Dachstein (pjesë e Alpeve të Austrisë) është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s që prej vitit 1997. Qyteza ka vetëm 780 banorë dhe po lufton për të përballuar fluksin e një milion fansave. Numri i turisteve që vizitojnë këtë vend ´´përralle´´ raportohet të shkojë deri në 10,000 vizitorë në ditë ose një milion turistë në vit. Kjo shifër është rritur që me shfaqjen e pjesës së parë të filmit në vitin 2013, por shfaqja dhe premiera e pjesës së dytë të filmit në Nëntor 2019, ka shkaktuar një rritje pothuajse të papërballueshme për një qytezë kaq të vogël. Për më tepër kjo qytezë është shumë ë famshme tek turistët aziatikë, të nxitur pjesërisht nga fakti se një miliarder kinez shpenzoi rreth 940 milion dollarë duke ndërtuar një kopje të saktë në provincën jugore të Guangdong, jo saktësisht i njohur për klimën e tij Alpine, e hapur në vitin 2012.

Qyteza Hallstatt në Guangdong, Kinë

Bizneset lokale të cilat me vite kanë pasur si burim financiar kryesor të ardhurat nga turizmi, dikur të hapura vetëm gjatë pranverës dhe verës, aktualisht janë në gjendje të operojnë gjatë gjithë vitit. Në vitin 2019 qyteza është vizituar nga 19,300 autobusë, ndërkohë që kryetari i bashkisë. Alexander Scheutz është shprehur për "The Times of London" që po punon për të ulur numrin e turistëve me një të tretën gjatë vitit 2020, por njëkohësisht pranon që nuk kanë gjetur asnjë metodë të saktë që mund të ndalojë turistët. "Avantazhet janë se ne jemi bërë të pavarur financiarisht," i tha Scheutz revistës britanike Far Out në Shtator 2019. "Ky ka qenë një vend që njerëzit e braktisnin dhe nuk mund të përballonim shpenzimet tona,  por tani çdo gjë ka ndryshuar. Tani mund të zhvillojmë projektet tona dhe të ofrojmë shumë më shumë për banorët tonë."

Një nga pronaret e hoteleve të qytezës, Zj. Verena Lobisser, ka thënë për Washinton Post, që shumica e turistëve mendojnë se po vizitojnë një park tematik për filmin e Disney dhe jo një qytezë të vogël Austriake. Scheutz dëshiron të informojë vizitorët se "Hallstatt është një pjesë e rëndësishme e historisë kulturore, e jo një muze, me miniera të kripës që daton 1200 vite para Krishtit".

Tani, qyteza ``përrallë`` po përpiqet të hartojë një politikë për menaxhimin e fluksit të vizitorëve, dukë u përqendruar në një turizëm cilësor në të ardhmen".

Qyteza Hallstatt, Austri

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë