Vende dhe Udhetime

Qyteti më supersticioz në botë

Pavarësisht se e shohim si një qytet ultramodern, besëtytnitë e lashta ende luajnë një rol të përditshëm në jetën e njerëzve në Hong Kong.
Në një ditë të nxehtë në Hong Kong, një financiere e quajtur Wai Li vizitoi "Wong Tai Sin", tempulli më të njohur të qytetit, për të treguar një mënyrë si njerëzit e ndjekin fatin. Kjo quhet 'kau cim' dhe ka një mënrë të veçantë si manifestohet.
Një person shkund një tub të mbushur me "shkopinj fati" që janë të shenjuar nga 1-100, derisa një nga shkopinjt të bjerë në tokë. Çdo shkop ka një histori që, kur interpretohet nga fallxhorët banorë të tempullit, jep një mundësi për të parë një të ardhme. Li u gjunjëzua në një jastëk lutjeje përpara altarit kryesor të tempullit, mbylli sytë dhe filloi të tundë tubin e shkopinjve të fatit. Disa minuta më vonë shkopi me numër 24 bie përtokë. Duke vazhduar në arkadën e parashikimit të fatit të tempullit, një vendkalim i mbuluar dy katësh që përmban 161 kabina, Li takon Master Joseph, një fallxhor veteran prej 20 vjetësh, i cili interpreton shkopin e saj të fatit në lidhje me atë fushë të jetës së saj që ajo do të dijë.(Ajo kërkoi të dijë të ardhmen në karrierë)
I ulur përballë saj në stendën e tij, Master Joseph i thotë Li të mos presë ndonjë përparim ose ngritje në detyrë këtë vit dhe se ajo ka të ngjarë të hasë disa zhgënjime në punë. Në përgjithësi, thotë ai, fati i saj do të jetë mesatar. Li, e cila ka vizituar tempullin shumë herë në të kaluarën, beson se leximi është i saktë.
"Wong Tai Sin nuk më ka dështuar kurrë më parë. Unë gjithmonë vij këtu sa herë që kam pyetje ose vendime për të marrë në lidhje me të ardhmen time. E ndiej të saktë sepse kështu ka qenë në të kaluarën." tha ajo.
Li nuk është besimtare e asnjë feje, si shumë nga 10,000 vizitorët e përditshëm që kalojnë nëpër tempull, ajo është mendjehapur kur bëhet fjalë për besëtytnitë.
"Unë mendoj se shumë njerëz të Hong Kongut janë supersticioz në disa mënyra. Shumica e njerëzve këtu do të bëjnë gjëra që ose të rrisin fatin e tyre ose të shmangin fatin e keq" tha ajo.
Ishte bestytnia që e pengoi atë të merrte me qira një banesë të re kohët e fundit.
"Pronarët  më ofruan dhomën 1404, por nuk e pranova sepse ai numër sjell fat të keq.
Li nuk është e vetmja në shmangien apo frikën nga çfarëdo që ka të bëjë me numrin katër, diçka që njihet si "tetrafobi".
Ndërtesat e apartamenteve, hotelet, zyrat dhe madje edhe spitalet në qytet shpesh nuk e përosrin numrin katër.
 "Është thjesht një gjë supersticioze", tha John Choi, i cili ka punuar në disa hotele në Hong Kong për më shumë se 10 vjet.
“Edhe në pallatin tim katet 40 deri 49 nuk ekzistojnë. Përfundon me 39 dhe pastaj fillon përsëri me katin e 50-të. Gjithashtu nuk ka asnjë kat të 4-t, 14, 24 apo 54”.
Përtej kateve që mungojnë, një pamje tjetër e zakonshme jashtë ndërtesave dhe shtëpive në të gjithë qytetin janë vendet e shenjta të Tu Di Gong. Zakonisht të vendosura jashtë hyrjes kryesore të ndërtesave, këto faltore të vogla i kushtohen hyjnisë kineze Tudi Gong, Zoti i tokës, i cili besohet se mban larg energjinë negative ose fantazmat dhe bekon njerëzit që jetojnë në tokat e tij.
"Shumë njerëz këtu besojnë se perënditë dhe shpirtrat kanë fuqi të madhe për të ndryshuar fatin e një personi," tha Choi.

Ju mund të gjeni shumë dyqane që kanë një faltore Tu Di Gong të vendosur pranë hyrjes së tyre kryesore. Në një kuptim të ngjashëm, është si "një zyrë menaxhimi që i mban shpirtat dhe fantazmat larg dyqanit."

Choi thotë se natyra mjaft konkurruese është ajo që i shtyn shumë njerëz të "miratojnë" besimet për të provuar dhe rritur fatin dhe mundësitë e tyre.
"Në një vend kaq konkurrues, si mund t'i tejkalosh të tjerët. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të përdorim 'feng shui' për të shtuar fatin. Feng shui, fjalë për fjalë "erë dhe ujë", është praktika e lashtë kineze e përdorimit të forcave të energjisë për të harmonizuar individët me mjedisin e tyre përreth për të sjellë një fat dhe shëndet më të mirë. Sot ajo është e ndaluar në territorin e Kinës nga Partia Komuniste si një "bestytni feudale".
"Kur ata për herë të parë ndaluan feng shui në Kinë, shumë prej mjeshtrave të feng shui ikën dhe erdhën në Hong Kong," tha Choi.
Sot, feng shui mbetet i popullarizuar në Hong Kong dhe Choi thotë se rreth 40% e arkitektëve të ndërtesave ende konsultohen me një mjeshtër të feng shui për tu këshilluar për mbarëvajtjen e projekteve të tyre.

Nëse është një projekt i ri ndërtimi, "këshillimi" me një mjeshtër mund të shkojë nga 1 milion dollarë deri në disa milion dollarë për projekt.
Ekspertët thonë se ka edhe një betejë feng shui që po ndodh në qendër të qytetit. Qiellgërvishtësja në Bankën se Kinës thuhet se i ngjan një tehe që po pret fatin e ndërtesave përreth me energjinë e saj negative, të njohur si "vrasja e energjisë". Ndërtesa fqinje e HSBC(Banka e Hong Kongut dhe Shangait)  pretendohet të ketë shtuar dy objekte në formën e topit në çatinë e saj si një mbrojtje. Menjëherë pasi Kulla e Bankës së Kinës u përfundua në 1989, çmimi i aksioneve të HSBC ra në një minimum historik. Për të devijuar energjinë negative, HSBC i drejtoi objektet e saj si top direkt në Bankën e Kinës. Që atëherë, sipas legjendës, performanca e HSBC është përmirësuar.

Pas konsultave të gjata me ekspertët e feng shui, HSBC gjithashtu pozicionoi dy luanë bronzi direkt para hyrjes së saj kryesore. Në feng shui, luanët janë një simbol i mbrojtjes dhe i pasurisë dhe statusit shoqëror. Duke qenë se HSBC është banka e gjashtë për nga madhësia në botë, disa vendas pëlqejnë të godasin hundët dhe putrat e luanëve me shpresën se do të shtohet pasuria e tyre.
"Ne besojmë se prekja e disa objekteve të mbara të feng shui mund të sjellë fat të mirë për ne" tha Choi.
Për të arritur suksesin, ekziston një fjalë e vjetër kineze që thotë se 70% është puna jote, 30% fati.

Një foltore që vendoset jashtë dyqaneve apo bizneseve të ndryshme

Pronarët e Choit kryesisht konsultohen në hartimin e hapësirave të brendshme për të siguruar feng shui-në më të mirë për klientët e tij. Nëse një ndërtesë është ngritur kohët e fundit, ai do të hyjë në njësi dhe do të llogarisë se ku të pozicionojë dyert për të sjellë një fat të mirë.
"Për çdo njësi, dera është një gjë kritike. Dera ka të bëjë me sjelljen e fatit dhe prosperitetit. Ne mund ta vendosim derën në një kënd shumë të mirë dhe ta instalojmë atë duke përdorur një busull feng shui për të bërë llogaritjet." tha ai.
Sipas Choi, feng shui nuk duhet të jetë i shtrenjtë.

Mënyra më ekonomike është vendosja e stolive të feng shui në zona të caktuara. Kryesisht do të shihni wu lou që do të thotë "dhuruesi i jetës". Këto objekte të vogla, shpesh të bëra prej bronzi mund të pozicionohen posaçërisht për të thithur energji negative dhe për të minimizuar sëmundjet dhe fatin e keq.
Bestytnitë në Hong Kong shtrihen edhe tek i ndjeri. Gjatë ceremonive për të nderuar paraardhësit e vdekur, siç është dita e pastrimit të varreve e njohur si "Qingming", njerëzit djegin para, rroba, shtëpi dhe madje edhe pajisjet e fundit si smartphone dhe televizori pasi sipas tyre, këto do t'i mundësojnë të ndjerit të ketë një jetë të përtejme të lumtur dhe të begatë.
"Ne besojmë se nëse kujdeseni për paraardhësit ata do t'ju bekojnë në këmbim", tha Choi.
“Kur babai im vdiq ai ishte mjaft i varfër në atë kohë. Kështu që kemi djegur shumë gjëra për të në mënyrë që ai të jetë i pasur në jetën e përtejme. Edhe unë e bëra. Në fund të fundit kjo është një shoqëri supersticioze.”
Arsyet pse janë këto bestytni është e vështirë për tu përcaktuar.
Duke qenë një ish koloni britanike për më shumë se 150 vjet dhe duke thithur besimet Lindore dhe Perëndimore, sot shumë banorë besojnë në bestytni popullore nga të dy kulturat. Për shembull, banorët e Hong Kongut shmangin ecjen nën shkallë (konsiderohet fat i keq në Perëndim) si dhe shmangien e dhënies së një ore si një dhuratë (konsiderohet fat i keq në Kinë, pasi fjala për orën tingëllon e ngjashme me pjesëmarrjen dhe nderimin në një funeral)
Yan Zhang, një profesor në Universitetin e Singaporit, i cili ka kryer studime për rolin e ritualeve supersticioze në largimin e fatit të keq, thotë se arsyeja më e spikatur pse njerëzit besojnë në bestytni është të fitojnë një ndjenjë kontrolli mbi mjedisin e tyre. "Kryerja e veprimeve supersticioze i bën njerëzit të ndiejnë një ndjenjë kontrolli, gjë që i bën ata të ndjehen më pak të shqetësuar ose nervozë. Feja, shkenca dhe bestytnitë të gjitha mund t’i ndihmojnë njerëzit të ndiejnë një ndjenjë kontrolli dhe komoditeti." tha Zhang.
Ai thotë se Hong Kongu nuk është një vend fetar, kështu që për t'u ndjerë më mirë, duhet të mbështetesh në shkencë ose bestytni.
Por, cilado qoftë shkaku, bestytnitë e qytetit nuk ka gjasa të zhduken shpejt.
"Bestytnitë mund të azhurnohen me kalimin e kohës kur njerëzit e dinë më mirë se si funksionojnë gjëra të caktuara. Sidoqoftë, nuk parashikoj që të zhduken plotësisht." tha ai.
Duke qenë se njerëzit nuk mund të kenë kurrë kontroll të plotë mbi jetën e tyre, besimet dhe bestytnitë do të qëndrojnë përgjithmonë.
Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë