Vende dhe Udhetime

Qyteti ku të bësh selfie është ‘e sikletshme’

Nga Kate Bettes - Ishte ora 01:00, binte shi dhe vetëm 2 gradë Celsius, por kafeneja ‘Luzia’ gumëzhinte. Bari në lagjen e modës Kreuzberg të Berlinit ishte i gjallë me njerëz të mbështjellë me pallto të mëdha që flisnin me zë të lartë.

"Le të bëjmë një selfie!" tha një vajzë në tryezën tonë. Ajo ishte nga Parisi, në udhëtimin e saj të parë në kryeqytetin gjerman. Ne qeshëm dhe u pajtuam, duke u mbledhur për një fotografi. Ndërsa grupi ynë mbaroi me foton, një mik, i cili ka jetuar këtu pa pushim, tha: "Është shumë qesharake; këtu në Berlin, nuk bëhen selfie."

Kjo nuk ishte hera e parë që e dëgjoja këtë që kur erdha në Berlin gjashtë muaj më parë. Këtu, kam vënë re dukshëm më pak njerëz që pozojnë në publik. Në qytetin tim të lindjes në Sidnej, me portin e tij me famë botërore dhe plazhet e panumërta tërheqëse, selfiet për mediat sociale ndihen si një shtesë argëtuese për të përditshmen. Në Berlin, dukej shumë më e rrallë.

Nuk është lajm që gjermanët e vlerësojnë më gjerësisht privatësinë e tyre në një shkallë të lartë. Sipas një studimi të vitit 2017 nga Universiteti i Hohenheim mbi qëndrimet, sjelljet dhe perceptimet e privatësisë, qytetarët gjermanë zbulojnë informacione personale "shumë rrallë". Dhe kur bëhet fjalë për ndarjen e fotove të tyre në rrjetet sociale, si për shembull një selfie në Instagram, studiuesit zbuluan se "vetëm disa gjermanë" e panë "të dobishme" për ta bërë këtë.

“Gjermania është një nga ato vende ku shqetësimet e privatësisë janë dukshëm më të theksuara," thotë Philipp Masur, bashkëautor i raportit të vitit 2017.

Deri në rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989, Berlini u nda midis Republikës Demokratike Gjermane (RDGJ) në Lindje dhe Republikës Federale të Gjermanisë (FRG) në Perëndim. Si të tillë, banorët e Berlinit, si dhe banorët e tjerë të RDGJ-së, iu ‘nënshtruan’ një mbikëqyrjeje të gjerë nga Ministria e Sigurimit të Shtetit, e njohur edhe si Stasi.

Shumë banorë të Berlinit, me të cilët fola, besojnë se kultura e tyre "jo-selfie" u zhvillua nëpërmjet klubeve të ndryshme të të cilave kërkojnë të ruajnë një atmosferë sekreti dhe të inkurajojnë pjesëmarrësit të shijojnë momentin. U befasova kur mbërrita për herë të parë në qytet për të parë tabelat me një kryq në pothuajse të gjitha klubet që vizitova. Por tani jam mësuar me faktin se nuk mund të bëj foto brenda dhe duhet ose ta lë telefonin ose të vendos një ngjitëse mbi kamera.

Kjo për shkak se jo vetëm që klubet e Berlinit janë shtëpia e muzikës tekno më të mirë në botë, por ato konsiderohen gjithashtu si të jashtzakonshme për sa i përket asaj që ofrojnë për klientët e tyre: një vend ku njerëzit janë të çliruar për të vepruar në një mënyrë që nuk pranohet gjithmonë në publik.

Shkurtimisht, ndalimi i fotografive është një mënyrë për t'i lejuar klientët e tyre të përmbushin dëshirat e tyre pa frikën e pasojave në botën e jashtme.

Marta Lodolr, artiste dhe banore në Berlin, thotë se beson se për një qytet të madh në Evropë, Berlini ndihet si një qytet i vogël me një "nivel të lartë lirie" për të shijuar momentin në hapësira të përbashkëta.

"Ka kaq shumë gjëra që mund të përjetohen jashtë botës në internet," tha ajo, duke shtuar se nuk janë vetëm klubet që kërkojnë që klientët e saj të mos bëjnë foto.

"Gjithashtu dhe në vende të tjera, për respekt të njerëzve që hyjnë, ose për respekt të vetë vendit, selfiet nuk lejohen."

Në të vërtetë, kjo dëshirë për të jetuar në këtë moment është diçka që është evidente në hapësirat e tjera të qytetit. Në vizitat e mia të shpeshta gjatë verës në pishinën e njohur Badeschiff në lumin Spree, pashë shenja në hyrje që thoshin se fotografimi nuk lejohej, një detoks digjital publik që do ta kisha menduar të paimagjinueshme.

Përveç kësaj, megjithëse nuk ka një ndalim të plotë, Berlini është shtëpia e hapësirave shumë solemne të pasluftës, siç është Memoriali i hebrenjve të vrarë të Evropës në Mitte, ku fotografia shihet si shumë e papërshtatshme, nëse jo e ndaluar.

“Në Londër, unë padyshim që shoh më shumë njerëz që postojnë për gjërat e përditshme të jetës,” tha Claudia Hampton, fotografe në Berlin.

Hampton thotë gjithashtu se përveç që banorët e Berlinit e shohin të papërshtatshme të postojnë për aktivitetet e tyre të përditshme, selfie-t këtu mund të jenë thjesht disi të vështira.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë