Nga Gazeta ‘Si’- Protesta e zhvilluar këtë të martë ka zgjatur gjithë ditën, duke nisur në mëngjes para Kuvendit ku u përshkallëzua në tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit, pasi policia ndërhyri për të larguar turmën nga hyrje-dalja e Parlamentit dhe shoqëroi disa prej pjesëmarrësve në tubim.
Situata u tensionua gjatë zhvillimit të seancës plenare, kur protestuesit, të ndarë në dy grupe, u pozicionuan pranë hyrjes dhe daljes së Kuvendit.
Ndërsa një grup vijoi protestën me thirrje kundër qeverisë dhe opozitës, grupi tjetër priti automjetet e ministrave dhe deputetëve, duke hedhur vezë dhe ujë në drejtim të tyre.
Mes automjeteve të goditura ishte edhe ai i zëvendës kryeministres Albana Koçiu, ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Tërmet Peçi, u prit me thirrjet “Hajdut” dhe “Nuk na përfaqësoni” teksa largohej nga Kuvendi.
Për të garantuar daljen e zyrtarëve, Policia e Shtetit krijoi një kordon sigurie në hyrje të Parlamentit.




Në disa momente pati shtyrje mes efektivëve dhe protestuesve, të cilët tentuan të afroheshin pranë automjeteve zyrtare dhe gardhit metalik të vendosur përreth godinës.
Pas ndërhyrjes së policisë, disa protestues u shoqëruan në ambientet e Policisë së Tiranës. Mes tyre ishte edhe Dritan Goxhaj, momenti i shoqërimit të të cilit u filmua nga kamerat në vendngjarje.

Shoqërimi i protestuesve solli reagimin e menjëhershëm të pjesëmarrësve në tubim.
Pas përfundimit të tensioneve para Kuvendit, ata u organizuan dhe marshuan drejt Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, ku kërkuan lirimin e personave të shoqëruar.
Protesta më pas vijoi si çdo ditë në orën 19:00, me marshimin drejt Kryeministrisë dhe para selisë së PD.
Kërkesat ndërkohë vijojnë të jetë e njëjta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje