Futboll

Qeveria ul në 6% TVSH-në në sport, por vetëm për infrastrukturën

TVSH-ja në sport është ulur sot në masën 6% nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave. Më parë TVSH-ja ka qenë 20%, por ulja në 6% është bërë vetëm sa i takon investimeve të klubeve në infrastrukturë. Ulja e TVSH-së ka qenë edhe një 4 kërkesat e Ligës Profesioniste, pa plotësimin e të cilave nuk do të fillojnë aktivitetet kombëtare të futbollit në vend.

Liga dhe FSHF-ja shpallën bojkotin e garave, duke i bërë presion qeverisë për plotësimin e 4 kërkesave. Dhe një nga këto kërkesa është ulja e TVSH-së, por për të gjitha aktivitetet ekonomike të futbollit, jo vetëm në infrastrukturën sportive.

Ministrja e Financave, Anila Denaj, dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Gazeta Si, 23 shtator 2020

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, është shprehur: “Në kuadër të mbështetjes që qeveria shqiptare po i jep sportit dhe me qëllim reformimin e tij, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për sportet, është ndërmarrë nisma për të propozuar aplikimin e shkallës së reduktuar të TVSH-së, prej 6% për shërbimin e punimeve të ndërtimit për investimet shtetërore ose për investimet e klubeve/federatave sportive, për infrastrukturën sportive. Pra, furnizimi i shërbimit të punimeve të ndërtimit për investimet shtetërore ose për investimet e klubeve/federatave sportive në infrastrukturën sportive, të përcaktuar në legjislacionin e fushës për sportin, të mos trajtohet me shkallën standarde të TVSH-së prej 20%, por në shkallë të reduktuar prej 6%”.

Ndoshta ulja e TVSH-së në 6% për infrastrukturën mund të jetë një lëvizje e parë për zhbllokimin e situatës nga qeveria, edhe pse Liga kërkon plotësimin e të katër kërkesave të saj.

Kërkesat e Ligës ndaj qeverisë
1. Të ulet TVSH në masën 6%. Përfshirjen e të gjitha aktiviteteve ekonomike të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6% si bujqësia dhe turizmi dhe jo vetëm infrastrukturën sportive.
2. Të falen gjobat dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura.
3. Efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite.
4. Të miratohet Ligji i vërtetë i Sponsorizimeve, në vend të mashtrimit të qeverisë, që sot propagandohet si Ligj Sponsorizimi për Sportin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë