Lajme

Qeveria strategji të re për menaxhimin e financave publike

Ministria e Financave e ka rishikuar strategjinë për menaxhimin e financave publike.
Draftstrategjia e re bart një kapitull të ri që ka të bëjë me menaxhimin e koncesioneve PPP, kontratat e të cilave kanë ndikuar negativisht në stabilitetin fiskal të vendit
Kjo draftstrategji e re synon të shqyrtojë bazën ligjore dhe të përgatisë akte të reja nënligjore për PPP-të.

Gjithashtu në bazë të saj do të vlerësohen edhe kostot e mundshme fiskale dhe rreziqet që rrjedhin nga projektet e PPP-ve.

Duke cituar Fondin Monetar Ndërkombëtar, Ministria e Financave vlerëson se zbatimi i kornizës së re të PPP është një sfidë.

Me draftstrategjinë e re është propozuar që Ministria e Financave të ketë të drejtën e vetos dhe gjithashtu të ketë të drejtë të monitorojë të gjitha kontratat PPP në fuqi.
Gjithashtu një tjetër propozim është kufiri i i ri sasior mbi vlerën totale të të gjitha kontratave të PPP-së, përveç kufirit aktual për pagesat buxhetore të lidhura me PPP, për të ndihmuar në mbulimin e rreziqeve.

Gjithashtu do të përmirësohet kapaciteti i Njësisë së Rreziqeve Fiskale për të ndërmarrë analiza financiare të kontratave të reja të PPP dhe për të fuqizuar INSTAT-in për të regjistruar PPP-të në statistikat fiskale dhe të borxhit në përputhje me standardet e ESA. 2010.

Institucionet financiare ndërkombëtare, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar asistuan qeverinë shqiptare në vitin 2014 të zbatojë një strategji për menaxhimin e financave Publike 2014-2020, e cila u bë shkak për miratimin e një seri ligjesh e rregullash të reja që synojnë uljen e borxhit publik, reduktimin e detyrimeve të prapambetura dhe mbajtjen në kontroll të rreziqeve fiskale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë