Treg

Qeveria s’lëshon pe për TVSH, u kujton fermerëve përjashtimin për inputet bujqësore

Në një situatë të nxehtë mes agropërpunuesëve dhe qeverisë, kjo e fundit u kujton fermerëve përjashtimin që u ka bërë për furnizimin me inputet bujqësore.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar të mërkurën të gjithë fermerët se referuar bazës ligjore në fuqi, furnizimi i inputeve bujqësore është i përjashtuar nga TVSH-ja.
Në bazë të ndryshimeve të Paketës Fiskale që kanë hyrë në fuqi në janar 2019, kategorizohet si furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja, furnizimi i inputeve bujqësore, siç janë: plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët.

Tatimet shpjegojnë se përjashtimi nga TVSH-ja e inputeve bujqësore u krijon mundësi shoqërive të importit dhe tregtimit të tyre, të ulin me të njëjtën masë çmimet e shitjes tek fermerët. Mosreflektimi i përjashtimit nga TVSH-ja për inputet bujqësore, në reduktimin e çmimit të shitjes së tyre nga ana e shoqërive të tregtimit, është në dëm të fermerëve.
Kjo lehtësi fiskale, thonë Tatimet, i ndihmon prodhuesit bujqësorë (fermerët), të reduktojnë kostot e aktivitetit bujqësor, si dhe të rrisin investimet në bujqësi, si një nga sektorët prioritarë të ekonomisë së vendit.

Por kjo lehtësi e ardhur si efekt i ndryshimeve të Paketës Fiskale për 2019-ën, për disa ekspertë anulohet indirekt me ndryshimin tjetër që detyron uljen e masës së rimbursimit të TVSh-së nga 20 në 6%.

Prej gati një muaji agropërpunuesit e veçanërisht fermerët janë në një situatë të trazuar për shkak të TVSH-së së rimbursueshme.

Sipas agropërpunuesëve, pasoja e menjëhershme e këtij ligji në të gjithë nënsektorët e bujqësisë, është ulja e çmimit të lëndës së parë, pra çmimit efektiv të shitjes së produktit bujqësor dhe blegtoral nga fermeri.
Ajo çka ata evidentojnë si më shqetësuese si efekt i kokëfortësisë së qeverisë është nxitja e shitjes së prodhimit bujqësor dhe blegtoral në mënyrë informale e mbi të gjitha cënimi i sigurisë ushqimore për shkak të rritjes së informalitetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë